![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2025/02/IMG_0593.jpeg)
Kurti e komenton deklaratën e Grenellit: Punët me ShBA-në kurrë më mirë s’i kemi pasë
Tri ditë pas deklaratës të emisarit për Misione të Posaçme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Richard Grenell, kryeministri Albin Kurti ka reaguar.
Çka me bo unë”, ishte përgjigja e kryeministrit Albin Kurti në drejtim të deklaratës së emisarit Richard Grenell. Çka me bo unë. Ti e din shumë mirë se tërë jetën time kam qenë aktivist e jo analist. I kemi këto studiot që i studiojnë se çka i tha kështu e pse e këqyri ashtu”, ka thënë fillimisht kryeministri Kurti në një intervistë për Istogu Chanel.
Kryeministri Albin Kurti ka qenë i vendosur duke thënë se Kosova ka raporte shumë të mira me Amerikën.
Punët kurrë ma mirë nuk i kena pas. Po blejmë helikopterë “Black Hawk” pas blerjes së sistemit ‘Javelin‘. Grantin më të madh nga Amerika e kemi marrë gjatë mandatit tonë. Ne kemi bërë avancimin me Amerikën kur raportin me Amerikë nuk e kemi vetëm diplomatik por e kemi edhe në mbrojtje, e në zhvillim e edhe energji”, ka thënë Kurti.
“Kanihere ka kritika e vërejtje, por duhet me ec përpara”, tha shkurtimisht Kurti.
Emisari për Misione të Posaçme i SHBA-së, Richard Grenell, i kishte quajtur mashtrim deklaratat e kryeministrit Albin Kurti se krahasuar me qeveritë paraprake, kjo aktualja e drejtuar prej tij, ka pasur marrëdhëniet më të mira me Washingtonin.
Madje ish-emisari i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi ka shkruar në platformën “X” më 3 shkurt se bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Albin Kurtit.