Kurti e konfirmon ndryshimin e vendimit për mallrat serbe: Ka ndryshuar masa e sigurisë deri në ardhjen e skanerëve

07 tetor 2024 | 14:32

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka konfirmuar ndryshimin e masës së sigurisë në “një pikë kufitare” me Serbinë, pa e cekur se cila.

Ai ka përmendur “dy zhvillime shumë të rëndësishme”, mbledhjen e CEFTA-s të mërkurën dhe samitin e Procesit të Berlinit më 14 tetor.

“Sot paradite ministri i Punëve të Brendshme i ka shkruar drejtorit të Doganave që në njërën nga pikat kufitare me Republikën e Serbisë, Republika e Kosovës e ka ndërruar masën e sigurisë nga kufizimi te kontrolli i shtuar derisa të na vijnë skanerët”.

“Në momentin kur të na vijnë skanerët, atëherë ata vendosen në të gjitha pikat kufitare por derisa nuk na vijnë skanerët ne do të hapim një pikë kufitare e cila do ta ketë kontrollin e shtuar për shkak se masat që i kemi ne janë masa të sigurisë dhe në shtatë ditët në vijim i kemi dy zhvillime shumë të rëndësishme, pasnesër është mbledhja e CEFTA-së ndërkaq sot një javë është samiti i Procesit të Berlinit me rastin e 10 vjetorit ku edhe presim që të kalohet nga CEFTA në CRM apo në Tregun e Përbashkët Rajonal”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se qëllimi i Beogradit është të flas për dialogun me Kosovën pa u përmendur marrëveshja e dakorduar në Bruksel gjatë shkurtit të vitit të kaluar.

Në konferencën për media të mbajtur të hënën, Kurti ka thënë se ai do të vazhdojë të insistojë që kjo marrëveshje e dakorduar të nënshkruhet.

Ai ka shtuar se kjo marrëveshje nuk duhet të harrohet, edhe pse Beogradi tenton ta mohojë.

“Ne e kemi një marrëveshje nuk bën ta harrojmë atë, atë që duhet të bëhet është të respektohet ajo. Interesi i Beogradit është të flitet për dialog pa u përmendur marrëveshja. Ajo çfarë insistoj unë është që të nënshkruhet ajo. Beogradi nuk mundet ta mohojë që kemi nënshkruar marrëveshje”, ka thënë Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e…