Kurti e kujton në 14 vjetorin e vrasjes nga Serbia, aktivistin boshnjak, Shefko Sallkoviq

08 dhjetor 2024 | 15:58

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka përkujtuar sot në 14 vjetorin e vrasjes, aktivistin boshnjak Shefko Sallkoviq.

Siç shkruan Kurti, Sallkoviq tregonte besnikëri ndaj Republikës së Kosovës, ndaj dhe Beogradi zyrtar s’e pranonte një gjë të tillë dhe e vrau përmes dy pjesëtarëve të institucioneve serbe të sigurisë nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë.

”Shefko Sallkoviq ishte aktivist boshnjak që tregonte lojalitet ndaj Republikës së Kosovës dhe njihej për angazhimin e tij në proceset zgjedhore e përfaqësimin e komunitetit në zonën e Leposaviqit.

Për Serbinë, kjo ishte e papranueshme, dhe u bë shkas që 14 vjet më parë, më 8 dhjetor 2010, Shefko Sallkoviq, të vritej në fshatin Podstenje, në Leposaviq. Përgjegjësinë, e mori fillimisht formacioni paraushtarak “Beli Orlovi” (Shqiponjat e Bardha) nga Serbia.

Ngjarja ndodhi rreth orës 14:00, katër ditë para zgjedhjeve të parakohshme të 12 dhjetorit 2010, në të cilat Sallkoviq ka qenë dhe komisioner i koalicionit pjesëmarrës në ato zgjedhje, “Vakat”. Në pritën e ngritur nga kryesit e sulmit, mbeti i plagosur edhe Edin Islamoviq, i cili ndodhej në veturë me Shefkon, por arriti të kërcejë në Ibër pas të shtënave. Edinin kanë tentuar ta vrasin edhe deri sa po qëndronte i shtrirë në QKUK. Edini ka mbetur invalid dhe lëvizë me karrocë.

Vrasja e Sallkoviq ishte një sulm që synonte përhapjen e frikës dhe panikut tek ata që përpiqeshin të integroheshin në institucionet e Kosovës, veçanërisht në komunat veriore të banuara kryesisht nga serbë.

Hetimet kishin treguar se përgjegjës për vrasjen e tyre ishin Jugoslav Petroviq dhe Radomir Deliq, pjesëtarë të institucioneve serbe të sigurisë nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë. Ata u arrestuan në Beograd për trafikim me substancë narkotike, më 27 dhjetor 2010, por asnjëri prej tyre nuk është procesuar deri tash në mënyrë direkte për vrasjen e plagosjen e ndodhur 14 vite më parë. Dyshohet se së paku njëri nga prej tyre, ka qenë në Kosovë në periudhën 1998-1999 si pjesëtarë të “Beretave të Kuqe” të komanduara nga “Llegija”.

Shefko Sallkoviq e përkujtojmë sot, si qëndrestar kundër Serbisë dhe si aktivist i së drejtës, i komunitetit dhe i Republikës. 14 vite më vonë, strukturat serbe të cilat frikësojnë, shantazhojnë e vrasin anëtarë të komuniteteve, i kemi luftuar e zmbrapsur nga territori i Republikës së Kosovës. Qytetarët tanë në secilin lokalitet, si në Rëvatska ashtu edhe në të gjithë territorin tonë, duhet të jetojnë të lirë dhe pa frikë në jetësimin e vullnetit të tyre”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trupat turke nga rezervat e KFOR-it përfunduan vendosjen e tyre…