Kurti e Murati japin detaje për pagesat për lehonat e shtesat për fëmijët

10 shtator 2021 | 11:24

Kryeministri Albin Kurti së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kanë mbajtur konferencë për medie, në lidhje me zbatimin e masës 3.5 përkatësisht pagesat për lehonat dhe shtesat për fëmijët, nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike.

Kryeministri Kurti ka thënë se përmes implementimit të kësaj pako synohet që gratë të jenë të barabarta në shoqëri dhe se kjo mbështetje financiare ka për qëllim forcimin e pozitës së gruas në vendimmarrje.

“Ne jemi zotuar se do ta rrisim mirëqenien dhe do ta ulim varfërinë. Përmes kësaj pako po dëshmojmë që nevojat e qytetarëve janë pikënisje e qeverisë. Ne duam t’i mbështesim gratë sepse synojmë shoqëri të barabartë. Për ne barazia nuk kufizohet vetëm me mundësi të barabarta por arrihet kur mundësit marrin nevojat dhe kanë rezultat të barabartë. Me këtë formë të mbështetjes po e fuqizojmë rolin e gruas në shoqëri. Po kujdesimi për mirëqenien e saj financiare derisa ajo po kujdeset për fëmijën”, është shprehur Kurti.

Ministri Hekuran Murati ka treguar se pagesat për nënat do të shkojnë direkt në llogaritë e tyre.

Sipas Muratit përfituese do të jenë të gjitha ato nëna mbi moshën 18-vjeçare.

Ai ka theksuar se ato që nuk figurojnë të punësuara që 12 muaj në ATK përfitojnë 170 euro për gjashtë muaj kurse ato që figurojnë të punësuara përfitojnë 170 euro për tre muaj.

“Pagesa kryet për të gjitha gratë mbi moshën 18-vjeçare dhe që nuk figurojnë të punësuar në 12 muajt e fundit prej 170 euro për 6 muaj, kurse lehonat e punësuara do të përfitojnë mbështetje financiare 170 euro për 3 muaj”, ka thënë ai.

Po ashtu, Murati ka bërë me dije se shtesat e fëmijëve do të fillojnë të ndahen qysh tani.“ Për fëmijët nga 0 deri në 24 muaj do të jetë 20 euro kurse 24 deri 16 vjet nga 10 euro”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tashmë të gjithë e dinë se kur është fjala për…