Kurti e njofton Komandantin e KFOR’it për punët dhe rezultatet e raportit për Urën e Ibrit: Hapja e nevojshme dhe e dobishme
Kryeministri Albin Kurti është takuar me Komandantin e KFOR’it, Ozkan Ulutas, me të cilin ka diskutuar për çështjen e hapjes së Urës së Ibrit për qarkullimin e veturave, “si një gjë e drejtë, e nevojshme dhe e dobishme”.
Në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit thuhet se Kurti e ka njoftuar Ulutas mbi punët e përgjithshme që po zhvillohen në urën kryesore mbi lumin Ibër dhe rezultatet nga raporti preliminar i vlerësimit të qëndrueshmërisë së urës shkruan Reporteri.net.
“Në kuadër të hapave të nevojshëm të ndërmarrë nga Qeveria për hapjen e urës, ai rikujtoi dhe takimin publik me qytetarët e Mitrovicës së Veriut, të organizuar më 8 gusht nga komuna e Mitrovicës së Veriut e ku të pranishëm ishin qytetarë nga komuniteti serb, organizata joqeveritare dhe përfaqësues nga niveli qendror e lokal si dhe KFOR-i dhe EULEX. Kryeministri u shpreh i bindur se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit, paqja dhe siguria janë të gjitha të mundura bashkë dhe të duhura”, thuhet në njoftim.
Aty nuk citohet qëndrimi i Komandantit të KFOR’it, derisa njoftimi vijon me temën tjetër që është diskutuar, ballafaqimin me zjarret dhe ndihmës që KFOR’i do të mund të ofronte në shuarjen e tyre.
Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti.
Ndryshe, Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka publikuar draft-raportin e testimit të Urës së Ibrit. Ai ka thënë se sipas raportit, ura mbi lumin Ibër është stabile, e qëndrueshme dhe funksionale.
“Sapo kemi pranuar raportin nga testimi i kapacitetit të mbajtjes së strukturës së urës ekzistuese mbi lumin Ibër. Raporti konkludon qartë se struktura e urës mbi lumin Ibër është stabile dhe funksionale dhe si e tillë mund të përdoret për shfrytëzim pa asnjë kufizim në ngarkesë.”, tha ai.
KFOR ka paralajmëruar disa herë se është i gatshëm t’i ndërmarrë “të gjitha masat e nevojshme” për t’i luftuar zhvillimet të cilat mund ta cenojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal, pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës.
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se ekziston një rrezik real i lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.
“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën”, tha ambasadori amerikan.
“Shpresa jonë është që Qeveria do ta dëgjojë këtë dhe do t’i marrë parasysh këto shqetësime”, shtoi ai.