Kurti e Peach diskutuan për sfidat me të cilat po përballet rajoni i Ballkanit Perëndimor
Kryeministri Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, ka pritur në takim të Dërguarin e Posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach, që shoqërohej nga ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovës, Nicholas Abbott.
Në takimin e parë në këtë vit, kryeministri Kurti dhe Lord Peach diskutuan për bashkëpunimin e deritanishëm dhe për mundësitë e reja përgjatë vitit 2023.
Siç njofton qeveria, kryeministri Kurti theksoi marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale dhe rëndësinë e mbështetjes së Mbretërisë së Bashkuar për Republikën e Kosovës, sidomos në fushën e sigurisë.
“U diskutua edhe për sfidat me të cilat po përballet rajoni i Ballkanit Perëndimor, rrezikun që paraqet për sigurinë dhe progresin ndikimi i Rusisë dhe rolin e rëndësishëm të NATO-s në parandalimin dhe sprapsjen e synimeve të Moskës për rajonin tonë. Kryeministri Kurti tha se në Kosovë ka progres demokratik, ligjor, ekonomik dhe social, që duhet të mbrohet, bashkë me partnerë dhe aleatë”, ka njoftuar Qeveria e Kosovës.
Sipas këtij njoftimi, Kurti ka shprehur falënderimin e tij për angazhimin aktiv të Mbretërisë së Bashkuar në proceset integruese të Republikës së Kosovës.