Kurti e përmbyll vizitën dyditore në Strasburg me një takim me mërgatën
“Me takimin e ngrohtë e të përzemërt me mërgatën tonë nga gjithsej pesë shtete të Bashkimit Evropian që orbitojnë qytetin e Strasburgut, e përfundova vizitën dhe qëndrimin dyditor atje”, ka shkruar kryeministri Albin Kurti në “Facebook”.
Ai ka treguar se bashkë me ambasadorin e Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, zëvendësministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, këshilltarët e zëvendëskryeministrit të parë, Curri dhe Gricourt, si dhe deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, zhvilluan gjithsej 11 takime zyrtare.
“Takuam 26 eurodeputetë, nga katër grupet më të mëdha politike të Parlamentit Evropian. U mirëpritëm nga Presidentja e këtij institucioni, Roberta Metsola. Morëm pjesë në takimin e 10-të të Komitetit të përbashkët Parlamentar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Kurse mbrëmë, bashkëbiseduam me mbi 30 ambasadorë të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës në pritjen e organizuar nga ata”, ka shkruar kryeministri Kurti.