Kurti e quan joadekuate dhe të rrezikshme shprehjen ‘korrigjim i kufijve’
Në vazhdim të tryezës për të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, të cilën e organizoi Lëvizja Vetëvendosje në Kuvendin e Republikës së Kosovës në fund të muajit korrik, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i shoqëruar nga kryesues i Këshillit të Përgjithshëm, Hydajet Hyseni, dhe deputetja Fitore Pacolli, ka pritur në takim kryetarin e Komunës së Bujanocit, Shapi Kamberi dhe shefin e kabinetit të tij, Rahim Salihu.
Me këtë rast Kurti e ka informuar Kamberin rreth diskutimeve që kishte Kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje në mbledhjen e saj të djeshme rreth zhvillimeve të fundit që prekin komunat e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.
Kurti e ka konsideruar joadekuate dhe të rrezikshme shprehjen “korrigjim i kufijve” të presidentit Thaçi, meqenëse sipas Kurtit, korrigjim i kufijve do të thotë korrigjim aty-këtu i ndonjë hapësire të vogël me ndonjë fshat, zabel a kodrinë, por jo përfshirje e një krahine të tërë siç është zona e komunave të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, e që duhet të trajtohen si tërësi dhe jo të ndara nga njëra-tjetra.
Sipas komunikatës për medie të lëshuar nga Vetëvendosje, Kurti ka thënë se respektimi i referendumit të vitit 1992 është zgjidhja e vetme e drejtë duke shtuar se Serbia duhet që ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe të paguajë për dëmet e shumta të luftës dhe okupimit.
Të dy palët janë pajtuar për kontakte, komunikim, takime e bashkëpunim të vazhdueshëm.
/Epoka e re/