Kurti e quan tensionim të kontrolluar aksionin në veri
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Albin Kurti, ka folur për aksionin e sotshëm në veri duke thënë se krimi e korrupsioni duhet të luftohen çdo ditë e jo njëherë në vit.
Ai e ka quajtur tensionim të kontrolluar aksionin policor në veri, i cili kishte për qëllim arrestimin e dhjetëra zyrtarëve policorë të dyshuar për vepra penale.
“Prandaj, ky sot ishte veçse edhe një tensionim i kontrolluar për t’i mbuluar skandalet e regjimit. Asnjë nga top 20 zyrtarët e korruptuar në vendin tonë nuk besoj të jenë arrestuar sot. Çerdhja e korrupsionit dhe krimit në Kosovë, është te prokurimi dhe licencat e shtetit, te prokuroria dhe gjyqësia e shtetit, te presidenti i shtetit”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i tij:
Tensionimi i kontrolluar
Këta që krimin e organizuar dhe korrupsionin e lartë e institucionalizuan duke e ushqyer përditë për dy dekada nga zyrat e tyre, duan ta luftojnë me aksione në terren një herë në vit. Krimi dhe kontrabanda në veri të vendit nuk ndodhën papritur – ato kanë vazhduar për aq sa ka vazhduar edhe zhvatja e hajnia në pjesën tjetër të vendit.
Sigurisht që Policia e ka mundësinë dhe aftësinë, drejtësia e ka detyrën dhe nevojën, kurse populli ynë e ka dëshirën dhe interesin për luftimin e krimit e të korrupsionit.
Mirëpo, nuk mund të jemi të sigurt se për çka bëhet fjalë, kur në krye të një aksioni kundër krimit e korrupsionit ndodhen prokurori famëkeq Sylë Hoxha dhe presidenti aktual po ashtu famëkeq (me krahun e tij të djathtë, kryetarin e Kuvendit, dhe, krahun e tij të majtë, kryeministrin e vendit).
Këta po shtiren se po e mbrojnë Kosovën teksa po e vjedhin atë dhe duan t’i mbulojnë skandalet e fajdeve të tyre në paqe e të fotografive të tyre për luftë. Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Vuçiq, shtiret se do ta sulmojë Kosovën, gjersa synon ta përforcojë pushtetin e tij. Serbisë i konvenon ky regjim i korruptuar në Kosovë dhe nuk i konvenon konflikti me KFOR-in.
Prandaj, ky sot ishte veçse edhe një tensionim i kontrolluar për t’i mbuluar skandalet e regjimit. Asnjë nga top 20 zyrtarët e korruptuar në vendin tonë nuk besoj të jenë arrestuar sot. Çerdhja e korrupsionit dhe krimit në Kosovë, është te prokurimi dhe licencat e shtetit, te prokuroria dhe gjyqësia e shtetit, te presidenti i shtetit.
Korrupsioni dhe krimi duhen luftuar çdo ditë, por më mirë është t’i ndalojmë e parandalojmë duke i hequr këta që i kultivojnë dhe i shtojnë ato secilën ditë.
/Epoka e re/