
Kurti e sekretari i RCC-së diskutuan për bashkëpunimin rajonal dhe integrimin ekonomik
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me sekretarin e ri të përgjithshëm të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), Amer Kapetanovic, për të diskutuar mbi bashkëpunimin rajonal dhe integrimin ekonomik të rajonit.
Zyra e kryeministrit ka njoftuar se procesi i Berlinit, Tregu i Përbashkët Rajonal (CRM), si dhe Agjenda e Gjelbër, ishin ndër temat kryesore të diskutimit.
Kryeministri e ka uruar sekretarin e përgjithshëm për detyrën e tij të re dhe ritheksoi mbështetjen e Kosovës për RCC-në në promovimin e bashkëpunimit në rajon.
“Duke potencuar rëndësinë e barazisë në organizatat rajonale, kryeministri nënvizoi nevojën për një përfaqësim të drejtë në pozitat drejtuese dhe në stafin e RCC-së dhe inkurajoi organizimin e më shumë aktiviteteve të RCC-së në Prishtinë”, është thënë në njoftim.
Sipas njoftimit, kryeministri Kurti ka shprehur përkushtimin e Kosovës ndaj Planit të Veprimit CRM2 dhe ka theksuar rëndësinë e progresit në zbatimin e marrëveshjeve të mobilitetit të arritura në kuadër të Procesit të Berlinit, në mënyrë që ato të sjellin përfitime konkrete për qytetarët.
Agjenda e Gjelbër duhet të sigurojë një tranzicion të drejtë dhe, në këtë drejtim, duhet të garantohet qasje e barabartë në mekanizmat e financimit.
Që nga 1 janari i këtij viti, Kosova ka filluar zbatimin e njëanshëm të marrëveshjes për lëvizjen e lirë me letërnjoftime me Bosnje dhe Hercegovinën, e cila ka rritur lëvizshmërinë e qytetarëve të Bosnjës drejt Kosovës. Ky vendim kontribuon në rritjen e mobilitetit të qytetarëve dhe bashkëpunimin rajonal.
Kryeministri ka theksuar rëndësinë që Bosnje dhe Hercegovina të ratifikojë marrëveshjen për lëvizjen e lirë me letërnjoftime, si një obligim i marrë nga Procesi i Berlinit dhe në funksion të rritjes së lëvizshmërisë mes qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe Bosnje dhe Hercegovinës, por edhe në funksion të thellimit të bashkëpunimit e integrimit ekonomik të rajonit.