
Kurti e Selimi takohen me drejtuesit e veteranëve të UÇK-së
Një delegacion i Lëvizjes Vetëvendosje, i prirë nga kryetari Albin Kurti, deputeti Rexhep Selimi dhe anëtari i Kryesisë, Ajet Potera, kanë vizituar Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ku janë pritur në takim nga kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati, me bashkëpunëtorë.
Në këtë takim është diskutuar rreth ngjarjeve aktuale në vend me fokus negociatat Kosovë-Serbi, si dhe për zhvillimet e fundit në lidhje me listat e veteranëve.
Ishte konstatim i përbashkët që aspiratave të Serbisë duhet t’iu kundërvihemi si shtet dhe se Serbia i ka shumë borxh shqiptarëve dhe Kosovës.
Në anën tjetër, veteranët dhe invalidët e luftës së UÇK-së janë vlerë e shoqërisë sonë, se ata kanë probleme të shumta sociale, dhe se nevojitet përgjegjësi, rregull e saktësi në trajtimin e çështjeve të tyre.
Në fund, të dy palët janë dakorduar për kontakte, komunikim e takime më të shpeshta në këto kohë tejet të rëndësishme për Kosovën dhe kombin tonë në përgjithësi.
/Epoka e re/