Kurti e shkarkon Gashin por nuk distancohet fare nga deklaratat e tij

25 prill 2020 | 18:24

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka liruar sot nga detyra këshilltarin e tij Shkëlzen Gashi, pas një deklarate ku tha se individë nga radhët e UÇK-së kanë bërë krime ndaj civilëve të pafajshëm.

Por pavarësisht se Kurti e ka liruar nga detyra Gashin ai nuk është distancuar nga kjo deklaratë e tij. “Sot e kam takuar dhe më pas e kam liruar nga detyra këshilltarin tim politik, z. Shkëlzen Gashi. Disa deklarata të djeshme të tij patën pasoja shpërqendruese nga puna e mirë e qeverisë në detyrë. Konsideroj që është më mirë që debatin në të cilin është përfshirë ai të mos e bëjë nga pozita e këshilltarit tim. E falënderoj për kontributin e dhënë. E çmoj për mendimin kritik. Ka aq shumë gjëra për të cilat pajtohemi në të tashmen, ka edhe të atilla për të cilat nuk pajtohemi nga e kaluara. Z. Gashi nuk është një bashkëbisedues i lehtë. Nga kjo vështirësi kam mësuar”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.

Deklarata e Shkëlzen Gashit se pjesëtarë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë kryer krime ka ngritur reagime të shumta në publik. Veteranët e luftës së UÇK-së dhe partitë politike në Kosovë e cilësuan skandaloze këtë deklaratë të Gashit.

Nënkryetari i OVLUÇK-së, Nasim Haradinaj, ka thënë se Kurti vetëm me lirimin nga detyra të Gashit nuk mundet ta arsyetojë veten.

Ai ka thënë për gazetën “Epoka e re” se Kurti është dashur të distancohet nga deklarata e Gashit dhe të kërkojë falje publike.

“Jo vetëm Kurtin por as shokët tjerë, qoftë edhe ish-shokët e mi bashkëvuajtës të ’81-s dhe njerëzit e luftës që janë në atë parti nuk i shfajëson kjo. Aq më tepër Kurtin, përderisa z. Gashi i ka përsëritur dhe ripërsëritur me vite të tëra këto deklarata. Jo rastësisht është zgjedhur edhe këshilltar. Unë nuk kam pritur se do ta lirojë nga puna, sepse ky është ndër themeluesit e VV-së. Në një farë mënyrë është program i tij. Kështu që Kurti nuk i ka mbetur gjë tjetër dhe nuk e arsyeton veten. Se a është i vështirë apo i lehtë e di Kurti, sepse nuk është më i lehtë as Kurti. Pra, Kurti duhet ta di se tash maska iu ka hequr. Atij dhe të gjithë atyre që kanë mision luftën speciale kundër UÇK-së. Kurti është dashur të distancohet dhe të kërkoj falje”, ka thënë Haradinaj.

Nënkryetari i OVLUÇK-së ka thënë se më turp është që ende prokurori nuk ka reaguar ndaj këtyre deklaratave të Shkëlzen Gashit. “KKy duhet merret në pyetje edhe për shpifje ose të merret si dëshmitar potencial nëse ka fakte, sidomos prokurori special gjithsesi duhet ta thirr si dëshmitar”, ka thënë Haradinaj.

Pas shkarkimit të Shkëlzen Gashit ka reaguar edhe gazetari, ish-deputeti Milaim Zeka.

Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se: “Nuk mundet me pas shqiptar ma hipokrit se Albin Kurti”. “E shkarkoi Shkëlzen Gashin. Në fakt e shkarkuam ne. Po shikoni çka thotë hipokriti dhe abuzuesi i shekullit, Albin Kurti; E çmoj mendimin kritik të Shkëlzen Gashit. Kështu tha kryeministri. D.m.th e çmon atë çka tha Gashi se “UÇK-ja ka vra 1000 serbë civil të pafajshem”!!! E çmon Shkëlzen Gashin që e barazoi Haradin Balen e Remin me Millosheviqin. E çmon se e lavdroi Dick Martin. E çmoi që Shkëlzen Gashin që e quajti Isa Boletinin si mercenar…! Kuku për këtë popull që është në zor nga hajnat edhe nga politikanë të sëmurë mendërisht. Pa qenë i sëmur në tru, nuk del kryeministri në konferencë shtypi me këshilltarin Shkëlzen Gashi, pse policia dhe prokuroria e shtetit e paskan thirr për intervistim. A nuk ashte kjo ndërhyrjeje direkte ne sistemin e drejtësisë, shoku Albin?!!!”, ka shkruar Milaim Zeka.

Me këtë deklaratë të Gashit për UÇK-në nuk është pajtuar as nënkryetari i LV-së, ministri në detyrë i Punëve të Jashtme Glauk Konjufca. “Nuk pajtohem me Gashin. Ai është plotësisht gabim. Bile ka gabuar rëndë. UÇK-ja nuk ka bërë krime…”, ka thënë Konjufca.

Ndërkaq anëtari i Kryesisë së PDK-së, Xhavit Haliti, i ka vlerësuar si shpifje deklaratat e Shkëlzen Gashit, këshilltar i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. “Pas akuzave publike të Shkëlzen Gashit, prokuroria e Kosovës si dhe ajo e Gjykatës Speciale duhet të ndërmarrin veprime të shpejta hetimore. Deri në shpallje gjykimesh të plotfuqishme nga Specialja, akuzat e Gashit mbeten vetëm shpifje. Përmes tyre tentohet të njolloset pastërtia e luftës çlirimtare të UÇK-së. Ato i provokojnë në mënyrë flagrante dhe i lëndojnë ndjenjat e themeluesve, drejtuesve, pjesëtarëve dhe mbështetësve të saj, çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës. Në institucionet e shtetit të Kosovës, i cili qëndron mbi sakrificat sublime dhe luftën e UÇK-së, individët e tillë janë tërësisht në vendin e gabuar”, ka thënë Haliti.

Edhe deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, ka reaguar pas deklaratave të këshilltarit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, Shkëlzen Gashit, për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ai ka thënë se Albin Kurti, Rexhep Selimi dhe LV-ja duhet të distancohen nga kjo “fundërrinë jugosllave”, përndryshe edhe ata do të llogariten si të tillë dhe do të ballafaqohen me zemërimin e popullit.

Kurse shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, ka thënë se Shkëlzen Gashi është pasqyra e vërtetë e VV-së. “VV vetëm për dy muaj qeverisje e ka treguar maskën e vërtetë ideologjike partiake e morale. Dominimi politik i tyre është më i rëndësishëm se sa vet vlerat e UÇK-së dhe shtetit të Kosovës. Përfitimi i tyre politik me këtë qasje, është shumë më i vogël se sa dëmi që ata po i bëjnë Kosovës! Turp”, ka thënë Shala.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një lajm i bujshëm është duke qarkulluar në mediat italiane.…