![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2025/02/kurtiii.jpg)
Kurti e takon për herë të parë emisarin Sorensen, ia tregon kushtet për vazhdimin e dialogut me Serbinë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për herë të parë e ka takuar emisarin e ri të dialogut Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
Takimi ka ndodhur në margjinat e Konferencës së Mynihut.
Në komunikatën e Qeverisë së Kosovës thuhet se tema kryesore ka qenë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Për vazhdimin e dialogut, Kurti ka theksuar nënshkrimin e marrëveshjes së Ohrit, tërheqjen e letrës së Bërnabiq dhe dorëzimin e Milan Radoiçiq.
“Sa i përket raporteve me Serbinë, kryeministri theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit të vitit 2023 dhe aneksit të saj. Në të njëjtën kohë, ai tha se kjo marrëveshje po vazhdon të shkelet e të mos respektohet nga Serbia, e cila gjithashtu refuzon nënshkrimin e saj dhe përmes letrës së ish-kryeministres Bërnabiq, praktikisht Serbia është tërhequr nga marrëveshja. Për të ecur përpara nevojitet nënshkrimi i marrëveshjes, tërheqja e letrës së ish-kryeministres Bërnabiq dhe dorëzimi i kryeterroristit Millan Radoiçiq, për të cilin tashmë ka aktakuzë 160 faqëshe nga Prokuroria e Republikës së Kosovës. Kryeministri Kurti tha se është absurde që presidenti i Serbisë ia imponon dorëheqjen kryeministrit të Serbisë, Millosh Vuçeviq, por nuk e dorëzon Radoiçiqin”, thuhet në komunikatë.
Sipas komunikatës, Kurti ia tregoi Sorensenit edhe disa statistika nga sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit.
“Në këtë takim të parë ndërmjet tyre, kryeministri Kurti uroi z. Sørensen për pozitën dhe përgjegjësitë e reja, teksa veçoi progresin e Kosovës në katër vitet e fundit, me theks te rritja ekonomike mesatare prej 6%, raporti i fundit i BE-së për vendin, që evidenton progres në 36 nga 38 fushat e vlerësimit dhe asnjë fushë me regres, pastaj rishpërndarja sociale, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe avancimi i të drejtave politike e lirive civile. Ai tha se Kosova është shembull se si zhvillimi dhe demokracia shkojnë krah për krah”, thuhet në komunikatë.
Ambasadorët e Bashkimit Evropian kanë konfirmuar diplomatin nga Danimarka, Peter Sorensen për pozitën e përfaqësuesit të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi.
Kaja Kallas, shefja e re e diplomacisë evropiane zgjodhi Sorensen për ta zëvendësuar emisarin aktual, Miroslav Lajçak për këtë pozitë.
Të hënën ministrat e Jashtëm të BE-së pritet të japin pëlqimin përfundimtar, derisa ai do të nis punën nga fillimi i shkurtit.