Kurti e takon të mërkurën shefin e NATO-s
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, do të takohen në Bruksel javën e ardhshme, konkretisht të mërkurën. Po ashtu është njoftuar se pas takimit Kurti dhe Stoltenberg do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media në selinë e NATO-së. Po ashtu, shefi i NATO-s do të takohet edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Kujtojmë se këto takime zhvillohen pak javë pas tensioneve të krijuara në veri të Kosovës.
I pari i qeverisë së Kosovës, për tensionet në veri është deklaruar se “përkeqësimi i grindjeve me serbët mund të rezultojë në një konflikt të ri”. Përveç Kurtit, rreth këtyre tensioneve kishte reaguar edhe vetë Stoltenbergu, i cili kishte kërkuar që problemet të zgjidhen përmes dialogut dhe po ashtu kishte deklaruar se NATO është e gatshme të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti. Ndërsa sa i përket takimit të Kurtit me shefin e NATO-s, ende nuk është bërë e me dije se për çfarë do të diskutohet.