Kurti e vlerëson të suksesshëm 100-ditëshin e punës së qeverisë

30 qershor 2021 | 14:59

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka konsideruar 100 ditët e qeverisjes së tij si mjaft të suksesshme.

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, Kurti ka thënë që gjatë këtyre tre muajve të rikthimin në qeverisje, është realizuar me sukses premtimi bazë që është dhënë, menaxhimi i pandemisë.

“Sot janë bërë 100 ditë të qeverisë që doli si rezultat i zgjedhjeve plebishitare të 14 shkurtit dhe jam i lumtur të ndaj me ju progresin e shënuar në këta tre muaj. Në këto 100 ditë, ne kemi marrë 144 vendime dhe kemi kaluar projektligje dhe dokumente të rëndësishme. Kur e bëmë betimin në Kuvend më 22 mars, thamë që prioritet është menaxhimi i pandemisë, në mënyrë që të shpëtojmë jetë njerëzish që po i humbnim si pasojë e keqqeverisjes më shumë se nga pandemia”, është shprehur Kurti.

Në këtë kontekst, Kurti ka thënë që këtij suksesi të qeverisë duhet t’i gëzohemi të gjithë.

“Vaksinat janë siguruar. Ky është sukses të cilit duhet t’i gëzohemi të gjithë, pasi sot ndjehemi më të sigurt që të takojmë njëri- tjetrin. Natyrisht se sot për shkak se situata me pandeminë është kaq e mirë nëse e kthejmë shikimin 100 ditë prapa e kuptojmë dhe me kënaqësi raportojmë që pandemia është menaxhuar me sukses dhe së bashku kemi përmbushur premtimin bazë për qytetarët. Kur morëm mandatin kishim 781 raste me infektime të reja dhe 107 vdekje, ndërsa sot kemi 9 raste të reja dhe asnjë vdekje. Fatkeqësisht, nuk gjetëm asnjë vaksinë dhe asnjë kontratë të negociuar për sigurimin e tyre. Sot kemi 2 milionë vaksina të siguruar ku afro 400 mijë sosh kanë arritur dhe mbi 200 mijë doza ta administruara”, ka deklaruar Kurti.

Më tutje, ai ka ndarë edhe shifra sa i përket menaxhimit të pandemisë.

“Kemi ulje 99 për qind të rasteve të reja, 97 për qind ulje të rasteve aktive, dhe 86 për qind të rasteve të hospitalizuara. Pandemia në këto 100 ditë është menaxhuar me sukses, dhe kemi përmbushur premtimin bazë për qytetarëve”, ka thënë Kurti, duke theksuar që situata me pandeminë është përmirësuar dukshëm.

“Pandemia ende nuk ka mbaruar dhe rreziku nga virusi mbetet  i pranishëm. Pas pandemisë, janë dy tema të cilat i kam përsëritur shpesh dhe ato janë drejtësi dhe punë”, ka thënë Kurti.

Kryeministri Kurti ka thënë se në buxhetin e ardhshëm Qeveria e Kosovës ka planifikuar një pako të re për rimëkëmbje ekonomike.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pasi mbylli aventurën në Evropian me kombëtaren e Sllovakisë, Marek…