Kurti: Edukimi i hershëm, prioritet i qeverisë se re
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, me rastin Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, ka thënë se edukimi i fëmijëve në Kosovë është e drejtë kushtetuese.
Në këtë kontekst, Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se prioritet i qeverisjes së re do të jetë edukimi i hershëm.
“Sa më shumë ngritje të cilësisë nëpër çerdhe e shkolla aq më pak fëmijë në rrugët e qytetit që punojnë për mbijetesë ose kërkojnë lëmoshë. Kemi aq shumë papunësi në Kosovë ndërkaq çdo i dhjeti fëmijë punon!”, ka shkruar Kurti.
Postimi i plotë i Kurtit:
Sot janë mbushur 60 vjet nga Deklarata për të Drejtat e Fëmijëve e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së dhe 30 vjet nga Konventa për të Drejtat e Fëmijëve. Neni 6, pika 2, i kësaj të fundit, thotë: “Shtetet Palë, marrin të gjitha masat e mundshme për të siguruar mbijetesën dhe zhvillimin e fëmijës”.
Këtë detyrim duhet ta respektojë edhe Kosova. Fëmijës i duhet strehimi, kujdesi nga familja, shteti dhe komuniteti. Asnjë fëmijë nuk e meriton të mbetet pa kulm mbi kokë, e pa arsimim cilësor. Shteti duhet t’ia garantoj zhvillimin, mirëqenien dhe edukimin.
As 5 për qind e fëmijëve të moshës nën 5 vjeç në Kosovë nuk janë të përfshirë në edukimin parashkollor. Edukimi i fëmijëve është e drejtë Kushtetuese. Çerdhet nuk janë luks por nevojë. Ato janë e drejtë e garantuar për të gjithë fëmijët, pa dallim gjinie, etnie, prejardhjeje apo besimi fetar.
Prioritet i qeverisjes së re do të jetë edukimi i hershëm. Sa më shumë ngritje të cilësisë nëpër çerdhe e shkolla aq më pak fëmijë në rrugët e qytetit që punojnë për mbijetesë ose kërkojnë lëmoshë. Kemi aq shumë papunësi në Kosovë ndërkaq çdo i dhjeti fëmijë punon!
Sot, më 20 nëntor, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, dhe në çdo ditë tjetër që vjen, le të angazhohemi të gjithë së bashku që vizioni i shtetit tonë demokratik e social, të drejtë e zhvillimor, të realizohet nën buzëqeshjen e të gjithë fëmijëve të Kosovës.
/Epoka e re/