Kurti është në gjendje me ia shti flakën Kosovës
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovë (AAK) Ramush Haradinaj, ka vlerësuar se për gati tri vite, Qeveria Kurti nuk ka bërë thuajse asgjë në të mirë të vendit.
Haradinaj tha se nën drejtimin e Kurtit, Kosova është kthyer prapa në shumë aspekte.
Ai përmendi ekonominë, sigurinë, politikën e jashtme, e po ashtu koston e jetesës, duke e ndërlidhur kështu me rritjen e faturave të energjisë elektrike gjatë dhjetorit.
Deklarimet e Presidentes Vjosa Osmani dhe Kryeministrit Albin Kurti se mund të ketë sërish sulme në veri nga grupe të armatosura, Haradinaj i quajti të koordinuara me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
“E shoh rrezikun në veri, por rreziku vjen nga strategjia e Kurtit”.
Madje ai shkoi edhe më larg, duke thënë se Kurti është në gjendje me ia shti flakën Kosovës, vetëm që ta ruajë popullaritetin dhe pushtetin e tij.
“Kurti, duke e pa gjendjen jo të mirë në ekonomi, e problem të tjera me korrupsionin, ai shpreson me incidente në veri, në nacionalizëm për me e rritë “ratingun”. Kurti është në gjendje me ia shti flakën Kosovës, vetëm që ta ruajë popullaritetin dhe pushtetin e tij”, deklaroi ai.
Duke folur për Asociacionin, Haradinaj tha se do duhej Kosova ta propozonte një Draft – Statut, e tani sipas tij, dokumenti i Asociacionit quhet 1244, që i bie kthim para “Pakos së Ahtisaarit”.
Haradinaj, 2024-ën e quajti vit zgjedhor.