Kurti falënderon Bettelin për mbështetjen që Luksemburgu po i jep Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim zëvendëskryeministrin, njëherë ministrin e Punëve të Jashtme dhe të Tregtisë së Jashtme të Luksemburgut, Xavier Bettel.
Gjatë takimit, Kurti ka shprehur mirënjohjen dhe falënderimin për ndihmën dhe mbështetjen që sipas tij, Luksemburgu ia ka dhënë Kosovës përgjatë viteve në zhvillimin dhe demokratizimin e vendit por edhe për kontributin në sektorin e sigurisë përmes KFOR-it dhe EULEX-it.
“E vlerësojmë shumë mbështetjen në fushën e shëndetësisë, sundimit të ligjit dhe administratës publike. Ndihma nga Luksemburgu për Kosovën është lart mbi mesataren e shteteve të BE-së në raport me territorin dhe numrin e popullsisë së saj. Nuk do ta harrojmë kurrë mbështetjen edhe kontributin tuaj”, ka thënë Kurti, ka njoftuar zyra e kryeministrit
Sipas këtij njoftimi, listës së bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Luksemburgut i është shtuar edhe një memorandum i mirëkuptimit, i cili është nënshkruar dje dhe përbëhet nga fonde për mbështetje për sektorin privat, në vlerë mbi 35 milionë euro.
“Ata gjithashtu diskutuan për mundësitë e reja të bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare që viteve të fundit kanë shënuar një trend të rritjes dhe mundësitë për investime. Në lidhje me këtë të fundit, kryeministri veçoi fushën e teknologjisë dhe të energjisë si sektorë me potencial të madh të vendit tonë dhe pozitën e përshtatshme gjeografike, sistemin tatimor, fuqinë punëtore profesionale dhe shumëgjuhëshe, progresin demokratik dhe stabilitetin institucional si përparësitë që ofron Kosova”.
“Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e palëkundur të Luksemburgut në anëtarësimin e vendit tonë në organizata ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës, si dhe për kontributin e vlefshëm të Agjencisë Zhvillimore LuxDev. Ai po ashtu përgëzoi zëvendëskryeministrin Bettel për përurimin e objektit të ri të ambasadës së Luksemburgut në Kosovë, i cili u inaugurua mbrëmë, duke e cilësuar atë si dëshmi e raporteve tona të forta dhe infrastrukturë për t’i thelluar edhe më shumë ato”, ka njoftuar zyra e Kurtit.
Ky ishte takimi tretë në mes të Kurtit dhe Bettel në dy vitet e fundit, ku në korrik të vitit të kaluar kreu i Qeverisë së Kosovës e kishte pritur Bettel, atëherë kryeministër në Prishtinë.