Kurti falënderon OSBE-në për kontributin e dhënë për demokratizimin në Kosovë
Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, nën detyrën e kryesuesit të OSBE-së.
Duke e quajtur këtë vizitë si një nder të veçantë dhe krenari, kryeministri Kurti në fjalën e tij të mirëseardhjes, tha se janë shumë të lumtur të konstatojnë që marrëdhëniet tona të shkëlqyeshme po pasohen edhe me bashkëpunim i cili po rritet, duke pas parasysh që ministri Osmani siç tha kryeministri, ishte sot në cilësinë kryesuesit të Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë.
“Ne jemi gjithashtu të gëzuar që do të mund të bashkëbisedojmë për çështjen e demokratizimit, të drejtave të njeriut dhe sigurisë që janë vlerat themelore që po ashtu i ndajmë së bashku”, ka thënë Kurti, duke falënderuar ministrin Osmani për kontributin që OSBE-ja e ka dhënë për demokratizimin në Kosovë dhe për sigurinë e vendit tonë.
Kryeministri Kurti e njoftoi Osmanin për të arriturat gjatë mandatit qeverisës në progresin ekonomik dhe demokratik, duke potencuar se në këto dy vite qeverisjeje buxhetit i janë shtuar 740 milionë euro, ndërkaq ekonomisë 2.1 miliardë euro.
Në mesin e sukseseve, kryeministri vuri në pah edhe konsolidimin e financave të cilat e kanë ulur deficitin buxhetor dhe po ashtu edhe uljen e deficitit tregtar nga 1 me 9 në 1 me 6.
Misioni i OSBE-së në Kosovë është misioni më i madh i kësaj organizate. Ka gjithsej 5 qendra rajonale me staf prej 490 personave, prej të cilëve 2/3 janë staf lokal.