Kurti falënderon për bashkëpunim përfaqësuesit e agjencive të Kombeve të Bashkuara në Kosovë

30 mars 2021 | 13:39

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia kanë pritur të martën në takim përfaqësuesit e agjencive të Kombeve të Bashkuara që veprojnë në Kosovë.

Kurti i ka falënderuar agjencitë për kontributin që kanë dhënë për rindërtimin dhe zhvillimin e Kosovës dhe për sigurimin e kontingjentit të parë të vaksinave anti-Covid.

Duke folur për krizën me pandeminë në gjithë globin, kryeministri Kurti tha se kjo krizë në Kosovë u thellua edhe më shumë me rrëzimin e padrejtë të qeverisë vitin e kaluar. Kryeministri Kurti ka theksuar se aktualisht në Kosovë po ndodhin mesatarisht dhjetë vdekje në ditë, ndërsa asnjë pacient me koronavirus nuk po e mbijeton daljen nga respiratori.

Edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, duke i falënderuar për kontributin rreth kontingjentit të parë të vaksinës,  ka thënë se shpreson në bashkëpunimin e mëtejmë të agjencive të KB-së në tejkalimin e krizës me virusin.

Përfaqësuesit e agjencive të Kombeve të Bashkuara të pranishëm në takim uruan kryeministrin Kurti dhe ministrin Vitia për fitoren në zgjedhje dhe formimin e qeverisë.  Koordinatorja për Zhvillim e KB-ve, Ulrika Richardson, ka thënë se kabineti i ri qeveritar mund të llogarisë në ndihmën dhe mbështetjen e agjencive, por njëkohësisht tha se pret bashkëpunim dhe koordinim me qeverinë.

Edhe përfaqësuesit e tjerë e njoftuan kryeministrin Kurti dhe ministrin Vitia me punën që kanë bërë dhe po e bëjnë në Kosovë, duke ofruar përkrahjen e mëtejshme.

Kurti u premtoi përkrahjen e tij dhe të kabinetit, sepse siç tha ai, duam të bashkëpunojmë me të gjithë për të mirën e Kosovës.

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vijojnë me intensitet të lartë ndeshjet në NBA dhe siparin…