Kurti flet pas takimit me Dendias: Greqia, mbështetëse e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar të dielën ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias. Pas takimit, Kurti ka deklaruar se Kosova mund të llogarisë gjithmonë në mbështetjen e Greqisë.
Ai ka potencuar se Greqia është mbështetëse e liberalizimit të Kosovës, e integrimit evropian dhe e normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Diskutuam për marrëdhëniet bilaterale Kosovë-Greqi, se si mund t’i përmirësojmë ato në të gjitha sferat, por njëkohësisht edhe për zhvillimet në rajon përfshirë këtu edhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që do ta ketë takimin e radhës të nivelit të lartë në Ohër të Maqedonisë së Veriut të shtunën e ardhshme. Greqia është një mbështetëse e liberalizimit të Kosovës, e integrimit evropian dhe gjithashtu e normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pra, ne gjithmonë mund të llogarisim në mbështetjen e Greqisë për familjen e madhe evropiane, e cila është garantuesja më e mirë për kontinentin tonë, si për paqe e siguri dhe po ashtu edhe për demokraci dhe mirëqenie”, ka thënë Kurti për “Kosovapress”.
Ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Nikos Dendias ka takuar të dielën edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.