
Kurti flet pas takimit me Lajçakun
Ka përfunduar takimi mes përfaqësuesit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Ky i fundit ka thënë se është informuar nga Lajçaku për dialogun.
“Unë shpjegova edhe një herë që ne i kemi fituar këto zgjedhje me programin tonë që përqendrohet te drejtësia dhe punësimi, se jemi në kushtet e pandemisë Covid-19, dhe se nuk jemi kundër dialogut, por e duam parimor dhe të përgatitur mirë”, ka deklaruar Kurti.
“Dialogu nuk mund të jetë prioriteti i parë ose i dytë, sepse janë drejtësia dhe punësimi. Nuk e mohoj rëndësinë e dialogut për BE-në, Kosovën dhe Serbinë, si dhe rajonin, por më e rëndësishmja është që ky dialog të jetë i përgatitur mirë. Të jetë dialog i sinqertë në të cilin nuk jemi në presionin e kohës, por jemi me përkushtimin për substancë”, ka thënë Kurti.
A është folur për një datë se kur mund të rifillojë vazhdimi i dialogut?
“Nuk mund të ketë datë, sepse duhet të formojmë një herë qeverinë. Duhet të përfundojë numërimi, rinumërimi dhe të bëhet certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve. Qeveria e re e Kosovës do të ketë edhe Ministrin e Punëve të Jashtme dhe të gjitha aspektet e tjera të ekzekutivit, përfshirë edhe raportet me Brukselin dhe dialogun me Serbinë”, është përgjigjur Kurti për mediat.