Kurti flet për konfiskimin e municionit dhe kallashnikovëve, thotë se është kërcënuar nga terroristët
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se ka pranuar ”letër kërcnuese nga terroristët”, lidhur me sekuestrimin nga Policia e Kosovës, të një sasie të madhe të armëve dhe municionit në veri të vendit.
Këtë ai e tha gjatë një interviste për median estoneze delfi, ndërsa fliste për shqetësimet në rritje dhe përfshirjen e Rusisë në tensionet e shtuara mes Kosovës dhe Serbisë.
”Kemi konfiskuar një sasi të madhe municionesh dhe kallashnikovë nga një shtëpi në një komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës. Pak para se të vija në intervistë, mora një tjetër letër kërcënuese nga terroristët, ku thuhej me tallje se armët që kishim sekuestruar ishin vetëm një pjesë e vogël e pajisjeve të tyre”.
Duke përmendur madje specifikisht komunat veriore, Kurti është shprehur se disa nga personat e përfshirë në trazirat e ndodhura në veri pak muaj më parë kanë qenë pjesëtarë të grupit mercenar Wagner.
Kreu i qeverisë së Kosovës foli edhe për posedimin e provave që ”disa nga serbët që bojkotuan zgjedhjet ishin të lidhur me grupin Wagner, madje disa prej tyre ishin anëtarë të grupit mercenar”.