Kurti flet për rëndësinë e shkollës politike në kuadër të Vetëvendosjes
Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur sesionin hapës të nivelit teorik të Shkollës Politike për vitin 2023-2024.
Në këtë sesion, aktivistët janë pritur nga kryeministri dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nënkryetarja Mrika Limani-Myrtaj dhe aktivistët Liridona Kelani e Hazir Asllani.
Në fjalën hapëse të diskutimit për këtë sesion, Kurti ka folur për rëndësinë e Shkollës Politike si platformë ku aktivistët mund të mësojnë e diskutojnë për konceptet më të rëndësishme politike dhe filozofike.
“Kjo u tha në kontekst të diskutimit që aktivisti politik duhet t’i ketë këto dije të formuara, në mënyrë që puna e aktivistëve politikë të LV-së të mos jetë një reaksion kuturu i antagonizmit politik, por një kundërshtim i zëshëm për hir të parimeve dhe kundër padrejtësive. Shkolla Politike është vendi i filozofisë politike për aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, ku mbahet gjallë elani për aktivizim politik e bashkëdyzohen aktivizmi dhe teorikja. Shkolla Politike është treguesi i seriozitetit me të cilin trajtohet thelbi i formimit politik me ide e parime që dëshmon se politikën e sferës publike nuk e konsiderojmë rrymë për lëvizje inerte. Ne kemi ide të artikuluara, parime të palëkundura, aktivizmin si mjet dhe barazinë si qëllim. Niveli teorik i Shkollës Politike do të zgjasë për një vit akademik, ku aktivistët do të ndjekin ligjërata për filozofinë politike, shkencat politike e historinë dhe ekonominë politike”, ka njoftuar Vetëvendosje.