Kurti flet për tri kërkesat në dialog: Vuçiqi nuk ishte i gatshëm ta respektonte asnjërën
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur një fjalim hyrës në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.
Në këtë fjalim, Kurti ka folur në lidhje me takimin në Bruksel me Aleksandër Vuçiqin, president i Serbisë, i cili takim është realizuar në kuadër të procesit të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Kurti ka treguar se pse i paraqiti tri kërkesat e tij në Bruksel. Megjithatë, Kurti theksoi se Vuçiqi nuk ishte i gatshëm të respektonte asnjërën.
“Ne paraqitëm këto tri kërkesa të garancisë që në fakt janë mburojë për vetë marrëveshjen bazike, e cila është në sulm të vazhdueshëm nga Serbia. Presidenti i Serbisë nuk ishte i gatshëm ta respektojë asnjërën, pra as të nënshkruajë marrëveshjen, as të tërheqë letrën për refuzimin e saj, por as të dorëzojë kryekriminelin Radoiçiq. Ne jemi për dialog për normalizim dhe duam normalizim të marrëdhënieve për fqinjësi të mirë. Kjo bëhet me pranim të tërësishëm të marrëveshjes që e kemi arritur dhe me zbatim të tërësishëm të saj”, ka thënë Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.