Kurti flet për tri kërkesat që BE-ja ia ka parashtruar atij për uljen e tensioneve në veri
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se organizimi i zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës, është mënyra e vetme për ndërrimin e pushtetit lokal në këto komuna të banuara me shumicë serbe.
Në një konferencë për medie pas mbledhjes së qeverisë të mbajtur sot, Kurti ka theksuar se është rënë dakord për mbajtjen e zgjedhjeve, por shtoi se duhet të bëhen përgatitje që të ketë një fushatë fer e të hapur “në mënyrë që të mos ketë kërcënime dhe në fund bojkot sërish, e dalje të ulët”.
Kryeministri kosovar foli edhe për tri kërkesat që BE-ja ia ka parashtruar atij për uljen e tensioneve në veri të Kosovës.
“Për këto tri pika, unë praktikisht u kam thënë që në masë të konsiderueshme Qeveria ka shprehur gatishmërinë sepse për zgjedhjet e parakohshme ne jemi dakord dhe zgjedhjet e parakohshme e rregullojë edhe çështjen e kryetarit në komunën e Leposaviqit sepse me zgjedhje largohet kryetari”, ka thënë ai.
Kërkesat e BE-së për Kosovën dhe Serbinë
Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, më 22 qershor ka paraqitur kërkesat e bllokut evropian për Kosovën dhe Serbinë, lidhur me shtensionimin e situatës në veri:
1. Kosovës i kërkohet që menjëherë të pezullojë operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri dhe që katër kryetarët komunalë përkohësisht të ushtrojnë detyrat e tyre në objekte alternative;
2. Serbisë i kërkohet të sigurojë që protestuesit të tërhiqen nga ndërtesat komunale paralelisht me tërheqjen e Policisë së Kosovës;
3. Të dyja shteteve u kërkohet shpallja e zgjedhjeve të parakohshme lokale, sa më shpejt që të jetë e mundur, në katër komunat në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve të Kosovës në to.