Kurti flet sërish për dinarin: Politikanët s’mund t’i mbivendosen institucioneve të pavarura
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se institucioneve të pavarura nuk mund t’i mbivendosen politikanët.
Këtë deklaratë, Kurti e ka dhënë pasi është pyetur lidhur me rregulloren e re të BQK-së që ndalon dinarin.
“Pikërisht përgatitjet e suksesshme për zbatimin e rregullores së BQK-së kanë alarmuar Beogradin zyrtar dhe ata më pastaj u përpoqën që të përhapin panik nëpërmjet një fushate që trumbetohej nga kreu i shtetit atje. Me informatat që i kam gjithçka po shkon në rregull, por nëse ka ndonjë vërejtje a ankesë ne do ta adresojmë me seriozitetin më të lartë dhe me shpejtësinë më të madhe”, ka deklaruar Kurti pas homazhe pranë kompleksit memorial në Lupç të Poshtëm, me rastin e 34-vjetorit të rënies së dëshmores Elfete Humolli.
Ndërsa sa i përket kërkesës së BE-së për këtë çështje, kryeministri Kurti është shprehur se BQK-ja është institucion i pavarur dhe se institucioneve të pavarura nuk mund t’i mbivendosen politikanët.
“BQK-ja është institucion i pavarur i Kosovës. Nuk munden politikanët t’i mbivendosen institucioneve të pavarura të shtetit, sepse asisoj e humbim karakterin e republikës demokratike për vendin tonë të pavarur. Kushtetutshmëria, ligjshmëria, vendimmarrja e institucioneve të pavarura nuk mund të negociohen nga politikanët”, ka thënë Kurti.