Kurti ftohet si dëshmitar nga mbrojtja e serbit të akuzuar për krime lufte

28 maj 2024 | 13:08

Dragisha Milenkoviq është duke u akuzuar se në cilësinë e gardianit në burgun e Prishtinës dhe të Lipjanit, ka torturuar çnjerëzisht të burgosurit.

Ai është deklaruar i pafajshëm, ndërsa avokati i tij, Dejan Vasiq, ka kërkuar që kryeministri Albin Kurti të dëgjohet si dëshmitar pasi ka thënë se e njeh të akuzuarin.

“Kam dërguar propozimin përmes parashtresës për dëgjim të dëshmitarit Albin Kurti në prokurori dhe gjykatë. Albin Kurti e njeh të pandehurin dhe e di shumë mirë sjelljen dhe veprimet e tij ndaj të burgosurve të atij burgu”, ka thënë avokati Vasiq, shkruan “Betimi për Drejtësi”.

Aktakuza e ngritur më 26 dhjetor 2023 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ngarkon Dragisha Milenkoviqin se në cilësinë e gardianit të burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, gjatë periudhës së luftës në Kosovë 1998-1999, në burgun e Prishtinës dhe të Lipjanit, në bashkëkryerje edhe me zyrtarë tjerë të burgjeve në fjalë Ljubomir Çimburoviç, ish-drejtor i burgut të Qarkut në Prishtinë, Predrag Bradiq dhe Milivoje Iviq, ish-gardianë të burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, në mënyrë sistematike i kishin maltretuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme si shkop gome, shufra metalike, kabllo elektrike, gypa të ujit, shqelma e grushte, deri në alivanosje, duke iu shkaktuar lëndime trupore, ashtu siç e shpjegojnë vetë viktimat, se pas këtyre rrahjeve kishin pasur dhimbje të mëdha në gjithë trupin, dhunë psiqike, i kanë lënë pa ngrënë për gati një javë, i kanë kanosur seriozisht për jetë e si pasojë e kësaj dhe rrahjeve të vazhdueshme kanë pësuar gjendje ankthi dhe frikë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia gjermane pritet të aktivizojë një plan sigurie me 5…