Kurti fton serbët të aplikojnë për punë në institucionet e Kosovës
Kryeministri Albin Kurti, ka ftuar serbët e Kosovës që të aplikojnë për punë në institucionet e Kosovës në mënyrë që të mbushin zbrazëtirat e krijuara pas dorëheqjeve kolektive të serbëve në nëntor të këtij viti.
Kreu i ekzekutivit është kujdesur edhe këtë herë që qytetarëve serbë t’iu drejtohet në serbisht, në mënyrë që të marrin mesazhin.
Ai në një konferencë për media të mbajtur pas mbledhjes së qeverisë, ka thënë se nuk dëshiron që zbrazëtirat e krijuara pas dorëheqjeve të imponuara të serbëve t’i mbushin me shqiptarë.
“Rritja ekonomike e këtij viti është 4 për qind e bruto produktit kombëtar. Kjo sjell optimizëm për ekonominë dhe njëherësh mirëqenie për të gjithë qytetaret sepse me ndihmën e masave sociale ne do ta ndajmë këtë rritje për të gjithë ju, dhe më së shumti atyre që kanë nevojë. Ne dëshirojmë paqe dhe përparim shoqëror. Vitin e ardhshëm, do të ndajmë një fond prej disa milionë eurosh për të gjitha kompanitë që do të punësojnë një fuqi punëtore multietnike, multikulturore, hendeku që ekziston brenda institucioneve tona të përbashkëta pas dorëheqjeve kolektive, kryesisht të imponuar, të disa qindra serbëve, ne nuk duam që ato t’i plotësojmë me shqiptarë, prandaj ftoj të gjithë serbët nga Kosova të aplikojnë për këto vende pune dhe posaçërisht serbët të cilët nuk e kanë pasur rastin deri tani”, ka thënë Kurti.
Më tutje, Kurti ka thënë se Kosova është shtet i të gjithëve, pavarësisht përkatësisë kombëtare, fetare apo shoqërore.
Sundimi i të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe të drejtat e komuniteteve pakicë janë vlera evropiane për të cilat, Kurti ka thënë se Kosova angazhohem gjithmonë.
Sipas Kurtit, ekziston vetëm një zgjidhje demokratike paqësore e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe se kjo është njohja reciproke dhe marrëdhëniet reciproke.