Kurti fton shqiptarët në ShBA që ta votojnë Joe Biden
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka folur hapur për zgjedhjet në SHBA.
Përmes një video-mesazhi në llogarinë e tij në “Facebook”, u ka bërë thirrje shqiptarëve që jetojnë në Amerikë, që të votojnë për demokratin Joe Biden, në zgjedhjet presidenciale që pritet të mbahen në nëntor të këtij viti.
Sipas tij, një votë për Biden, është një votë për të përforcuar vlerat e përbashkëta të drejtësisë, lirisë, vetëvendosjes dhe mundësive për të gjithë.
“Për shqiptarët në të gjithë Shtetet e Bashkuara, po ju drejtohem sot, për t’ju nxitur që të votoni për Joe Biden në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Një votë për Joe Biden është një votë për të përforcuar vlerat e përbashkëta të drejtësisë, lirisë, vetëvendosjes dhe mundësive për të gjithë, të cilat gjithmonë kanë lidhur Shtetet e Bashkuara, Kosovën dhe diasporën shqiptare si aleatë të përkushtuar”, ka thënë ish-kryeministri.