Kurti: Gara jonë është me të ardhmen, jo me të kaluarën!
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas mbledhjes së sotme të qeverisë, e cila pikë kryesore kishte 100 ditëshin e qeverisjes.
Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Kurti ka thënë se gara e tyre është me të ardhmen dhe jo me të kaluarën, ndërsa shtoi se gjatë kësaj periudhe, udhërrëfyes kishin zotimet ndaj qytetarëve.
Më poshtë postimi i plotë në “Facebook”.
Në 100 ditët e qeverisjes sonë, udhërrëfyes patëm zotimet ndaj qytetarëve.
Me reformat e nisura në drejtësi, financa publike dhe ekonomi, e rritëm efikasitetit e institucioneve publike dhe besimin e bashkëpunimin e qytetarëve me to. Morëm 144 vendime dhe kaluam projektligje e dokumente të rëndësishme.
Filluam depolitizimin dhe departizimin e institucioneve të Republikës duke emëruar e zgjedhur profesionistë, si drejtorin e ri të AKI-së dhe drejtorin e ri të Doganës.
Për të çliruar ndërmarrjet publike shkarkuam bordet ekzistuese dhe emëruam ato të përkohshme në Trepçë, KEK, Postën e Kosovës, Infrakos, Ujësjellësin “Prishtina” dhe Ndërmarrjen “Ibër-Lepenc”.
Menaxhimi i pandemisë
Nga marsi deri në qershor, patëm rënie prej 99% të rasteve të reja, 97% ulje të rasteve aktive dhe 86% ulje të rasteve të hospitalizuara me COVID-19. Përderisa kur e pranuam detyrën kishim 781 raste me infektime të reja me COVID-19 dhe 17 vdekje në ditë, sot kemi 9 raste të reja dhe asnjë vdekje. Kur u rikthyem, nuk gjetëm asnjë vaksinë, e as kontratë të negociuar për sigurimin e tyre, ndërkaq sot kemi 2 milionë vaksina të siguruara dhe 200 mijë doza të vaksinës të administruara. Ndamë 20 milionë euro mbështetje direkte për ata që ishin në vijën e parë të frontit, për personelin shëndetësorë dhe policinë, për bizneset dhe përfituesit e skemave sociale dhe pensionale.
Drejtësia
Filluam një reformë të rëndësishme që sjellë profesionalizëm, integritet dhe paanshmëri në sektorin e drejtësisë. Me theks te luftimi i korrupsionit, themeluam Grupin Punues për hartimin e Koncept Dokumentit për procesin e vettingut; miratuam projektligjin për Agjencinë kundër Korrupsionit.
Nesër, më 1 korrik, finalizohet drafti i parë i projektligjit për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme. Në përgjigje të heshtjes 23 vjeçare dhe pandeshkueshmerisë së krimeve të luftës në Kosovë, hoqëm pengesat ligjore për gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës dhe ngritëm kapacitetet e Departamentit për Krime Lufte në Prokurorinë Speciale; formuam grupin punues për themelimin e Institutit për adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës dhe shtuam përpjekjet institucionale për gjetjen e personave të zhdukur me dhunë.
Funksionalizuam grupin ndërministror për adresimin e çështjeve të dhunës në familje.
Mërgata
Kursimet dhe kapitali i bashkatdhetarëve tanë do të mund të orientohen në investime zhvillimore nëpërmjet emetimit të letrave me vlerë, “Bono të Diasporës”. Mërgimtarëve do t’ua mbulojmë shpenzimet e Kartonit të Gjelbër.
Rendi dhe siguria
Kosova nuk mund të jetë as burim e as tranzit për krimin e organizuar. Për 100 ditë kryem 101 operacione, 221 bastisje, 933 arrestime. Janë shkatërruar 8 grupe kriminale dhe janë konfiskuar 7 milionë euro. Kemi mbyllur me sukses bashkëpunimin me autoritetet e Italisë, DEA-n Amerikane dhe Shqipërinë, që rezultoi me ndalimin e 400 kg kokainë.
Mbrojtja
Prej vitit 2021, për herë të parë buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes do të jetë mbi 100 milionë euro. Kemi miratuar në parim blerjen e katër dronëve ushtarakë për FSK-në. Janë ridestinuar mbi 12 milionë euro për blerje të pajisjeve ushtarake. Me 330 ushtarë, Kosova për herë të parë ka marrë pjesë në ushtrimin më të madh të organizuar në rajonin e Ballkanit “DEFENDER-EUROPE 21”, edhe kjo në cilësinë e vendit pritës.
Politika e jashtme
Që të rrisim cilësinë e përfaqësimit dhe dinjitetin e Republikës, filluam reformën në shërbimin diplomatik që mundëson më shumë diplomatë të karrierës.
Në këto 100 ditë pritem në vizitë Ministrin e Jashtëm të Kroacisë Gordan Grliç Radman, Ministrin e Jashtëm të Gjermanisë Heiko Maas, Ministrin e Jashtëm Grek Nikos Dendias, Ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, Ministrin e Jashtëm të Italisë Luigi Di Maio. Zhvilluam takime bilaterale me krerët e institucioneve të BE-së, Ursula Von Der Leyen e Josep Borrel, me Presidentin e Francës Emmanuel Macron, virtualisht me Kancelaren e Gjermanisë Angela Merkel, me shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg e të tjerë.
Ruajtja e parasë publike
Me qëllim të vënies së rendit dhe ruajtjes së parasë, për 100 DITË anuluam marrëveshje të dëmshme – tenderë dhe memorandume të bashkëpunimit – me vlerë 100 MILIONË EURO.
Ekonomia
Miratuam projektbuxhetin prej 2.5 miliardë euro për vitin 2021, sipas së cilit projektohet rritje ekonomike për 7.9%. Ky nivel nuk parashihej të arrihej para vitit 2023.
Pakoja e re prej 1.1 miliardë euro mundëson ringjalljen ekonomike të vendit, dhe krijon bazën për një rritje të qëndrueshme dhe të punësimit për vitet në vijim.
Për herë të parë që nga themelimi, Dogana e Kosovës ka raportuar mbi 500 milionë euro të hyra për buxhetin e Kosovës, dhe riktheu kontrollin e naftës para hyrjes në treg, që jashtëligjshëm u ishte bartur si kompetencë trupave private. Kurse Administrata Tatimore e Kosovës inkasoi rreth 60 milionë euro më shumë se sa në vitin e kaluar.
Në përputhje me zotimet tona, themeluam grupin punues për dizajnimin dhe operacionalizimin e skemës për punësimin e garantuar të të rinjve të moshës 18-24 vjeçare. Qeveria do të subvencionojë për një vit pagat e atyre që punësohen për herë të parë.
Për një shtet zhvillimor, që planfikon shfrytëzimin dhe optimalizimin e burimeve ujore, inicuam për herë të parë hartimin e planeve të menaxhimit të pellgjeve lumore për lumenjtë Ibër, Morava e Binçës dhe Lepenc, si dhe konceptuam një program master mbi Menaxhimin e Integruar të Resurseve Ujore.
Parandaluam keqpërdorimin me grante e subvencione në bujqësi.
Për të mbrojtur bjeshkët e lumenjtë nga shkatërrimi e degradimi që sjell nxjerrja e gurëve, vendosëm moratorium dy vjeçar për lejet për gurthyesit e rinj dhe ata në procedurë.
Arsimi
Nga buxheti i miratuar për komunat për vitin që vjen, do të sigurohen 100 asistentë për fëmijë me nevoja të veçanta, shujta ditore për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën. Kemi themeluar tri qendra të karrierës në tri qendrat e kompetencës: në Skënderaj, Ferizaj dhe në Prizren, për përgatitjen e nxënësve për tregun e punës. Mbi 117,000 nxënës kanë vijuar mësimin plotësues për orët e humbura gjatë pandemisë.
Energjia
Trajtuam me prioritet sektorin e energjisë dhe minierave. Bazuar në objektivat shtetërore hartuam draftin e Koncept Dokumentit për Burime të Ripërtritshme të Energjisë, si dhe fillluam procesin e studimit të fizibilitetit për sistemet e ngrohjes qendrore në nivel të komunave të Kosovës.
Mbrojtja sociale
Kemi filluar pastrimin e listave të përfituesve të skemave pensionale për të parandaluar keqpërdorimet. Kemi ndarë 50 milionë euro mbështetje për familjet.
Kultura, rinia dhe sporti
Kemi nisur reformat në Teatrin Kombëtar, Baletin Kombëtar, Bibliotekën Kombëtare dhe Arkivin Shtetëror, për t’u mundësuar menaxhim autonom financiar përmes llogarive bankare, kodeve buxhetore dhe zyrtarëve financiarë. Për herë të parë është bërë kërkesa zyrtare për rikthimin e artefakteve te grabitura nga Serbia, të cilat ajo i mban padrejtësisht. Kemi përfunduar procesin e licencimit të 40 federatave sportive vendore.
Infrastruktura
Punimet në infrastrukturë janë intensifikuar me kërkesën për zbatimin me përpikëri të kontratave dhe afateve kohore. Kanë vazhduar punimet në rrugën Prishtinë-Mitrovicë, Prishtinë-Podujevë dhe Zhur-Dragash-Brod. Ka përfunduar studimi i fizibilitetit për segmentin e autostradës Besi-Merdare, dhe për rrugën Prizren-Tetovë.
Morëm edhe vendime të tjera: ka nisur punën Komiteti ndërministror për projektin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari”, kemi ndarë 100 mijë euro për Preshevën, si ndihmë për dëmet nga vërshimet, kemi iniciuar heqjen e homologimit, që është miratuar në parim në Kuvend.
Gara jonë është me të ardhmen jo me të kaluarën, e këto janë 100 ditët e kthesës drejt zhvillimit.