Kurti gjatë vizitës në Tetovë: Masat ndaj Kosovës duhet të largohen sa më parë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të premten ka qëndruar për një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.
Kurti në një intervistë për televizionin lokal të Tetovës, “TV Koha” ka thënë se vizita e tij në Komunën e Tetovës nuk është partiake, është kombëtare për të mirën e dy shteteve, për të mirën e qytetarëve në dy anët e shtetit.
Ai tha se ka vlerësuar ftesën për vizitë në Maqedoninë e Veriut.
Kurti gjatë intervistës ka folur edhe për raportet e tij me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
“Ne kemi raporte korrekte, kemi raporte të mira, është çështje e përgjegjësive Kjo nuk do të thotë që nuk kritikohemi, kritikat janë pjesë e demokracisë. Është për të ardhur keq që më 14 qershor nuk u mbajt mbledhja e dy qeverive shqiptare, por anulimin e saj nuk e kemi bërë ne”, tha ai.
Sa i përket masave të vendosura nga BE për Kosovën, Kurti tha se ato duhet të hiqen sa më shpejtë.
“Nuk e di se kur do të tërhiqen, besoj se duhet të hiqen sa më parë sepse Kosova është konstruktive, qeveria e Kosovës ka qenë kreative me ide dhe të përkushtuar në dialog, që ka rezultuar me marrëveshjen bazike. Me 27 shkurt ne në Bruksel e kemi realizuar marrëveshjen bazike, që është njohje reciproke de facto. Në marrëveshjen e Ohrit ia bashkëngjitëm edhe një aneks implementimi me 12 pika, por është Beogradi që e ka shkelur këtë. Ne kemi thënë le ta zbatojmë në plotni dhe pa kushte”, ka theksuar ai .
Kurti ka deklaruar se kundërshtimet për marrëveshjet nuk vinë nga Kosova, duke shtuar se edhe depërshkallëzimi në veri tashmë në masë të konsiderueshme ka ndodhur, e gatishmëri ka edhe për zgjedhje të parakohshme.
“Kam qenë shumë konstruktiv, kemi shprehur gatishmërinë tonë për të pasur mirëkuptim, por këtë nuk e kemi bërë nën kurrizin e kushtetushmërisë tonë. BE duhet ta vlerësojë e kuptojë. Duhet të përmirësohet qasja ndaj Kosovës dhe të ashpërsohet ndaj Serbisë”, u shpreh ai.
I pyetur nëse po mendon për hapjen e LVV-së në Maqedoninë e Veriut, Kurti tha se partia e tij gëzon mbështetje të madhe në këtë shtet.