Kurti: Gjendja ekonomike në Kosovë gjatë dy vjetëve të fundit është përmirësuar

14 qershor 2023 | 17:28

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ditën e dytë të “VET Summit 2023 – Samiti i Arsimit dhe Aftësimit Profesional”, organizuar nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës dhe mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, komuna e Prishtinës si dhe nga organizata të tjera joqeveritare.

Duke vënë në theks lidhshmërinë në mes të arsimit dhe ekonomisë, kryeministri Kurti e filloi fjalën duke e konsideruar këtë samit tejet të rëndësishëm për rininë, për qeverisjen demokratike dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Pasi që nevoja për ndërlidhjen e nevojave të tregut me aftësimin profesional në shkollat tona mbetet e lartë, kryeministri tregoi se arsimi dhe aftësimi profesional është prioritet i padiskutueshëm në programin qeveritar.

Ai tha se krahas të rinjve të talentuar dhe mërgatës sonë, në zhvillimin e AAP-së do të ndikojë angazhimi i qeverisë dhe vullneti i sektorit privat.

“Një shembull i mirë për bashkëpunimin në mes të qeverisë sonë dhe sektorit privat është identifikimi i profileve që është bërë bazuar në kërkesat e përfaqësuesve të sektorëve, për shembull kërkesa për profilin e floktarëve ka ardhur nga një grup i floktarëve të shkolluar jashtë Kosovës, për profilet e hotelerisë nga Oda e Turizmit dhe Hotelerisë, kurse për profilin e muratorit nga disa ndërmarrje të ndërtimit në Skenderaj”, ka theksuar kryeministri Kurti.

Në kuadër të angazhimeve për AAP-në, ai përmendi edhe pilotimin e arsimit dual në tri komuna, në katër shkolla profesionale me katër profile që nga shtatori i vitit 2021/2022, i cili është dizajnuar në mënyrë që nxënësit gjatë tri viteve të shkollimit të kalojnë mbi 50 % të kohës në ndërmarrje, pra në punë reale.

Përveç sektorit privat, bizneseve të vogla, të mesme e mëdha dhe shoqatave si faktor transformues të APP-së, kryeministri tregoi se një ndër hapat përmirësues që janë ndërmarrë nga qeveria dhe MAShTI është edhe Themelimi i Komisionit Ekzekutiv për avancimin e AAP-së të cilin e udhëheq kryeministri.

Rrjedhimisht, qeveria e ka prioritet përmirësimin e arsimit dhe aftësimit profesional ngaqë, sipas kryeministrit Kurti, kualifikimet e duhura dhe rezultatet e mira janë përparimtare për vendin, për qytetarët dhe për brezat që do të vijnë.

“Gjendja ekonomike në Kosovë gjatë dy viteve të fundit është përmirësuar: qarkullimi i deklaruar për çerekun e parë të këtij viti është rritur për 8.5 % krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Po në të njëjtën periudhë numri i punëtorëve të deklaruar është mesatarisht për 4 % më i lartë. Të hyrat e mbledhura gjatë kësaj periudhe janë 9.38 % më shumë se në vitin e kaluar. Ndërkaq vlera e mallrave në eksport për këtë periudhë është 300.4 milionë euro, ndërkaq ndikimi nga lirimet për prodhues ka arritur shumën e taksave prej 48.20 milionë eurosh. Gjithçka po tregon që viti 2023 është viti i parë në të cilin eksportet do ta tejkalojnë shifrën prej një miliard eurosh”, ka theksuar kryeministri Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se kidnapimi i tre zyrtarëve…