Kurti: Gjuha e propozimit “franko – gjerman” i jep qëndrueshmëri marrëveshjes së mundshme me Serbinë
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i tha “Zërit të Amerikës” se propozimi evropian për një marrëveshje me Serbinë përfshinë koncepte universale që e bëjnë marrëveshjen të qëndrueshme, por që sipas tij, Beogradi nuk ka dhënë shenja se është i gatshëm ta pranojë.
“Sigurisht që diskutimet duhet të çojnë në zgjidhje, mua në veçanti më ka pëlqyer fakti se kjo nuk është një marrëveshje e cila bëhet përbrenda asaj le ta quajmë ideologji e zgjidhjes së problemeve, ku ne e konsiderojmë secilin problem unik brenda Kosovës dhe mandej me marrëveshje të komplikuara me një oqean të hollësive për të cilën nuk ka askush interes që të marrë vesh detajet. Unë e kam mirëpritur faktin që kemi nocione, koncepte universale si hyrje të këtij propozimi, integriteti territorial, sovraniteti, pavarësia, barazia, sundimi i ligjit, demokracia, vetëvendosja pra të gjitha këto përmenden aty dhe gjuha universale edhe e shton parimësinë por edhe ja jep qëndrueshmërinë marrëveshjes. Duket që kjo i ka penguar më së shumti Beogradit dhe pikërisht për ta ambalazhuar refuzimin e këtij propozimi ata dhanë dorëheqje prej institucioneve në Kosovë në veri të Ibrit dhe me këto barrikada në njërën anë dëshiruan ta territorializojnë çështjen përbrenda nostalgjisë për të ashtuquajturin shkëmbim territorial që ka dështuar si projekt por nuk ka vdekur si ide, dhe në anën tjetër dëshiruan ta mbysin pluralizmin politik të komunitetit serb i cili në fakt po lind me Nenad Rashiçin dhe Rada Trajkoviçin. Nëse shikoni mediet në Serbi, këta dy persona janë gati edhe më të urryer sesa unë, pra është përpjekje e vazhdueshme e Serbisë për të mos lejuar pluralizmin e tyre. Unë besoj që kjo përpjekje e tyre pati çuar edhe në vrasjen e Oliver Ivanoviçit para pesë vjetëve. Konsideroj që propozimi franko gjerman apo i Bashkimit Evropian, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara është një bazë e mirë, mirëpo nga mbledhja e Këshillit të Sigurisë në Beograd në fillim të nëntorit doli ministri i tyre i Jashtëm, përndryshe zëdhënës i partisë së Millosheviçit dikur, dhe tha se e kemi hedhur poshtë propozimin e tillë. Unë besoj se të gjithë duhet të merremi me ta dhe jo me mua e me sekuencimin e diferencimin e zbatimit të vendimit për targat”, ka theksuar Kurti.
Ai rithekson se marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, është e vetmja që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese, por nuk shpalosi ndonjë plan rreth zbatimit të kësaj marrëveshjeje për përmbushjen e së cilës është shtuar trysnia ndaj tij.
Kurti thekson se qeveria e tij nuk bëri asnjë lëshim për heqjen e bllokadave në veriun e vendit të vendosura muajin e kaluar nga grupe qytetarësh serbë të mbështetur nga Beogradi.