Kurti: Gjykata Speciale po funksionon vetëm si shantazh ndaj pushtetarëve
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti në tre vjetorin e miratimit të Gjykatës Speciale në Kuvend, ka kujtuar skenarët që dërguan deri te miratimi, duke thënë se edhe pse ka kaluar kjo kohë, ende s’është ngritur asnjë aktakuzë, por janë shpenzuar miliona euro.
Kurti ka thënë se Vetëvendosje!, vazhdon të jetë kundër kësaj Gjykate, e cila sipas tij nuk i sjell asnjë të mirë vendit. “Atëbotë thuhej se miratimi i Gjykatës Speciale do ta pastronte imazhin e Kosovës dhe do të ndihmonte procesin e njohjeve ndërkombëtare. Asnjëra nga këto nuk kanë ndodhur, sepse imazhin e keq dhe faqen e zezë na i nxjerrin qeveritarët injorantë, zhvatës a vjedhës, të cilët bëjnë lëshime ndërkombëtarisht për të ruajtur pushtetin e vet, prandaj askush nuk i merr seriozisht në skenën diplomatike”, ka shkruar Kurti në profilin e vet në “Facebok”.
Ja është postimi i plotë Kurtit:
Sot bëhen tre vjet prej se u votua në Kuvendin e Kosovës amendamenti 24 i Kushtetutës së Kosovës që ia hapi rrugën krijimit të Gjykatës Speciale. Ishte ky votimi skandaloz, më 3 gusht 2015, me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim.
Pa asnjë shkronjë ndryshe, propozimin për amandamentin 24, Kuvendi e pat rrëzuar me vota më 26 qershor 2015, pra pesë javë më parë, kur kishin votuar vetëm 75 vota për, 7 kundër dhe 2 abstenime. Është rast tipik prej shteti të dështuar, kur nuk respektohet institucioni kryesor i republikës, parlamenti, dhe kur sillet për votim i njëjti dokument, deri sa të arrihet rezultati që dëshirojnë sundimtarët. Kjo ka qenë tallje me parlamentin e Kosovës.
Votat për herën e dytë u siguruan me presionin e ndërkombëtarëve dhe kreut të PDK-së mbi disa deputetë të PDK-së, të cilët edhe një herë dëshmuan se janë trima e patriotë vetëm për t’u mburrur. Me hapjen e rrugës për Gjykatën Speciale u poshtëruan institucionet vendore të Kosovës dhe u ndërtua një sistem paralel i drejtësisë, i cili nuk ka ndjesi republikane dhe nuk jep përgjegjësi demokratike ndaj vendit dhe popullit prej të cilit merr fuqinë.
U tha se Gjykata Speciale do të ndëshkonte kriminelë, mirëpo ja ku jemi, kanë kaluar tre vjet, janë shpenzuar afër njëqind milionë euro, por ende nuk është ngritur asnjë aktakuzë e nuk ka filluar asnjë proces. Kryeprokurori David Schwendiman, i cili u prezantua si njeriu i hekurt që do t’ua tregonte vendin kriminelëve të pushtetshëm, dha dorëheqje në shkurt të vitit 2018 me ca shpjegime e ankesa të çuditshme. Tash zëvendësit të tij do t’i duhen muaj e ndoshta edhe vite (por me siguri edhe miliona të tjera) që të arrijë të lexojë gjithë lëndët e përgatitura.
Atëbotë thuhej se miratimi i Gjykatës Speciale do ta pastronte imazhin e Kosovës dhe do të ndihmonte procesin e njohjeve ndërkombëtare. Asnjëra nga këto nuk kanë ndodhur, sepse imazhin e keq dhe faqen e zezë na i nxjerrin qeveritarët injorantë, zhvatës a vjedhës, të cilët bëjnë lëshime ndërkombëtarisht për të ruajtur pushtetin e vet, prandaj askush nuk i merr seriozisht në skenën diplomatike.
Pra, deputetët që e votuan Gjykatën Speciale më 3 gusht 2015, si zakonisht kanë gënjyer për efektet pozitive që ajo do t’i sillte Kosovës, e si zakonisht i kanë fshehur dëmet e mëdha që shkaktoi votimi i tyre i papërgjegjshëm. Gjykata Speciale, përveçse që po i etablon si serioze pretendimet qesharake të Dick Marty-t për UÇK-në, po funksionon vetëm si një mjet shantazhi ndaj disa pushtetarëve në Kosovë, që të bëjnë edhe më shumë lëshime qoftë në aspektin ekonomik me koncesione e kontrata kapitulluese, qoftë në aspektin e sovranitetit, ku së fundmi po nguten për “kompromis të dhimbshëm” me Serbinë.
Ne ishim kundër atëherë, dhe jemi kundër sot. I patëm parashikuar të gjitha këto padrejtësi, mashtrime e dështime. Por dështimet e tilla për Kosovën do të mund të ndalen vetëm kur të mos jepet më vota për kriminelët dhe për tradhtarët, për të pandershmit e për cinikët, për injorantët e për arrogantët. Vetëm atëherë Kuvendi, Qeveria, Gjyqësori dhe gjithë institucionet do të mund të marrin vlerën dhe peshën që u takon, në Republikën tonë të Tretë.