Kurti, Grenellit: Përmbajtja e marrëveshjes me Serbinë më e rëndësishme sesa afati për arritjen e saj
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe anëtari i Kryesisë, Glauk Konjufca, janë takuar sot në Ambasadën e ShBA-ve në Prishtinë, me ambasadorin amerikan në Gjermani, njëherësh i përfaqësuesin special i presidentit Trump në dialogun Kosovë-Serbi, Richard A. Grenell dhe ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnett.
Sipas njoftimit për medie të Lëvizjes Vetëvendosje, ambasadori Grenell fillimisht i ka uruar udhëheqësit e Vetëvendosjes për vendin e parë në zgjedhjet parlamentare e 6 tetorit dhe dëshironte të dëgjonte mendimin e qëndrimin e tyre për mundësitë e një marrëveshje me Serbinë, para se ai të udhëtonte për Beograd.
Grenell ka theksoi që mungesa e marrëveshjes së Kosovës me Serbinë është pengesa kryesore e investimeve të huaja në ekonominë kosovare.
Kurse Kurti ka shprehur falënderimin e tij për rolin dhe mbështetjen e ShBA-ve për Kosovën si në luftë ashtu në paqe dhe gatishmërinë e tij që si kryeministër i ri i Kosovës të thellojë bashkëpunimin me ShBA-të.
Ai është pajtuar me ambasadorin Grenell që Kosova ka nevojë për zhvillim ekonomik dhe investime prej jashtë, por për këtë gjë problem janë sidomos korrupsioni i lartë në qeveri që krijon pasiguri e cila tremb bizneset, varfëria e përhapur në popullsi që e mban të ulët kërkesën agregate si dhe qasja e vështirë në financa për bizneset për shkak të kamatave të larta të kredive në banka.
Sa i përket dialogut me Serbinë, Kurti ka theksuar se përmbajtja dhe procesi i marrëveshjes janë më të rëndësishme për qëndrueshmërinë e saj sesa afati kohor për të.
Në fund të këtij takimi të hapur e konstruktiv, bashkëbiseduesit u pajtuan që sa më shpejtë të krijohet qeveria e re në Kosovë dhe se do të vazhdojnë komunikimin e shpeshtë e të rregullt.
/Epoka e re/