Kurti, Haradinajt: Nuk ndreqet aleanca me Amerikën me do gypa
Çështja e projektit të gazsjellësit amerikan për Kosovën, të cilin Qeveria e Kosovës ka vendosur mos ta shtyjë përpara ka përplasur në Kuvend, kryeministrin Albin Kurti dhe deputetin e AAK-së, Ramush Haradinaj.
Haradinaj e ka quajtur gabim strategjik të Kosovës vendimin për të mos ndërtuar gazsjellësin, për të cilin tha se janë ndarë 200 milionë euro.
“Paret janë të dedikuara për gazsjellësin. Fillimisht projekti është 200 milionësh për diversifikim të burimeve të energjisë, pas tri vjet negocimi të dy qeverive Haradinaj dhe Hoti dhe këto para janë të dedikuara për gazsjellësin, nëse nuk i merrni tash ju do t’i humbni edhe tri vjet tjera për me i marrë këto para për ndonjë projekt të ri”, ka thënë ai.
Në kundër-replikën e tij, kryeministri Kurti u shpreh se fondet s’kanë qenë vetëm për gazsjellës dhe s’mund të rregullohet aleanca me ShBA-të përmes disa gypave
“Kurrfarë parash nuk kanë pasur të vijnë në nëntor, dhe nuk është e vërtetë që fondet janë ose për gaz ose hiç. Sa i përket aleancave që po flisni, ne e kemi pasur rastin e ‘Contour Global’-in, u nënshkrua ‘Contour Global’-i nuk u ndreq aleanca u prish ‘Contour Global’-i nuk u ndreq aleanca sepse është shumë e fuqishme. Është gabim instrumentalizimi i ShBA-së për ta sulmuar kryeministrin e Kosovës. Ju keni nënshkruar 18.5 për qind shkallë të kthimit të brendshëm në kapital me ‘Contour Global’, sepse ju me pare të shtetit je shumë dorëshlirë, e me paratë e juaja private jeni koprrac. Nuk ndreqet aleanca me Amerikën me do gypa, kjo është cektësia dhe shkurtpamësia e juaj”, ka thënë Kurti, duke ia përmendur Haradinajt edhe privatizimin e tokës të cilën sipas tij e kishte blerë për 3.50 euro arin.