Kurti harton ligje që bien ndesh me Kushtetutën dhe fyen ata që dalin në mbrojtje të saj
Ish-ambasadori i Kosovës dhe ish-kreyenegociatori në dialogun me Serbinë, Avni Arifi, ka thënë se nuk ka asnjë vend demokratik në botë ku një kryeministër apo ministër i Drejtësisë e sulmon Gjykatën Kushtetuese dhe sistemin e drejtësisë ashtu siç bëjnë Kurti, Haxhiu dhe Qeveria e Kosovës.
Sipas tij, barometri i një demokracie qëndron pikërisht te respekti për pushtetet e ndara.
“Kur komunikon me ndërkombëtarët, Kurti lavdërohet për nivelin e demokracisë së ndërtuar në 25 vitet e fundit në Kosovë, por nuk përmend përpjekjet e tij për ta rrënuar atë, duke sulmuar sistemin e drejtësisë”.
“Kurti harton ligje që bien ndesh me Kushtetutën dhe fyen ata që dalin në mbrojtje të saj”, ka shkruar në “Facebook” Arifi.
Ai ka theksuar se mesazhi që i përcillet qytetarëve është se shkelja e ligjit është e pranueshme, për sa kohë që askush nuk ju çon në gjyq. “Dhe nëse dikush ju çon në gjyq dhe dënoheni për shkelje ligji, faji nuk është i juaji, por i gjykatës dhe i personit që ju ka paditur”.
“Në asnjë vend të botës, asnjë reformë nuk ka sukses nëse qëllimi i saj është shkelja e Kushtetutës dhe ligjeve të shtetit, duke sulmuar dhe tentuar të shkatërrojë ata që i mbrojnë ato. Nëse e ke seriozisht dhe je i guximshëm, ndrysho Kushtetutën dhe rishiko ligjet! Por kjo Qeveri nuk ka as guxim, as mençuri për asnjërën”, ka deklaruar Avni Arifi.