Kurti heq dorë nga citimi i Kushtetutës së Serbisë

13 maj 2020 | 11:40

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka hequr dorë nga citimi i Kushtetutës së Serbisë në komentet që ia ka drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Lëvizja Vetëvendosje e kishte bërë këtë kur kërkoi masë të përkohshme nga Gjykata Kushtetuese për zbatimin e dekretit të presidentit Thaçi, e i cili do të çonte në formimin e qeverisë së re.

Gazeta Express ka siguruar edhe komentet e kryeministrit Kurti që i ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese e cila po e trajton lëndën e LV-së që sfidon dekretin e presidentit Thaçi që cakton mandatarin për formimin e qeverisë së re.

LV-ja kishte nxitur reagime të shumta kur në dokumentin që i dërgoi Gjykatës Kushtetuese me të cilën kërkonte masë të përkohshme kishte marrë si referencë Kushtetutën e Serbisë. LV-ja kishte insistuar se citimi i Kushtetutës së Serbisë ishte për të treguar se ajo çfarë është duke bërë Thaçi gjendet pikërisht në Kushtetutën e Serbisë.

Siç dihet, Kushtetuta e Serbisë e konsideron Kosovën pjesë të këtij vendi.

Sidoqoftë, në komentin drejtuar Gjykatës Kushtetuese, kryeministri Kurti nuk ka përmendur fare Kushtetutën serbe, duke pranuar në këtë formë në mënyrë implicite se kishte bërë gabim kur në parashtrimin e ankesës kishte bërë analizën krahasimtare edhe me shtetin serb.

Por, edhe pa Kushtetutën e Serbisë në analizën krahasuese me vendet e tjera fqinje, si Shqipëria, Greqia, Maqedonia e Veriut etj., ai konstaton se “asnjëri prej këtyre rasteve nuk ka paqartësi kushtetuese lidhur me rolin e presidentit”.

Komenti nga Kurti – ashtu siç pritej – i kërkon Gjykatës Kushtetuese që ta deklarojë të pranueshme kërkesën e Vetëvendosjes për shpalljen e dekretit të presidentit në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Kryeministri vazhdon të ngulmojë se Kushtetuta e Kosovës është përkthyer gabimisht në gjuhën angleze. Ai ka kontestuar konkretisht foljen “may”, e cila, sipas tij, është përkthyer sikur të ishte përdorur folja “can”.

“Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë”, thotë neni i Kushtetutës që kontestohet nga Kurti në gjuhën tonë amtare. Ndërkohë që folja “mund”, sipas tij, nuk shpreh mundësi që presidenti të zgjedhë apo të mos zgjedhë shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria në detyrë e Kosovës sot do ta mbajë mbledhje…