Kurti: Hera e parë që një qeveri e Kosovës po merr anë në zgjedhjet në ShBA
Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur sot mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm.
Lideri i kësaj lëvizje, Albin Kurti, ka përmendur “rrezikun e trefishtë” që sipas tij ka mbërthyer situatën e brendshme politike në Kosovë.
Ai po ashtu si rrezik ka përmendur procesin e marrëveshjeve dhe të diskutimeve me Serbinë, ku Kosova po “nënshkruan gjithçka, e po e hap çdo temë”.
“Është hera e parë që një qeveri e Kosovës merr anë në zgjedhjet amerikane dhe rreshtohet qind për qind pas njërit kandidat e kundër tjetrit, a thua se e dinë paraprakisht se kush do të fitojë. Jo vetëm që rreshtohen në fushatë pas Trumpit, por pranojnë të nënshkruajnë koncesionet më të mëdha të Kosovës që i janë bërë Serbisë ndonjëherë”, ka thënë ai.
Përmes një videokonference e Kurti e ka kritikuar presidentin Hashim Thaçi dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës që nuk po reagojnë kur po arrestohen veteranët e Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës nga ana e EULEX-it.
“Mirëpo presidenti thoshte se ata që janë kundër gjykatës janë tradhtar, sepse ka shpresuar se gjykata i merr luftëtarët e tjerë e jo atë dhe mendjen e ka pas si të bëhet president për vete e jo çka do ndodhë me UÇK-në. Sot nuk mund ta ndalim atë gjykatë”, ka thënë Kurti, duke shtuar se me LV-në në qeveri interesat e veteranëve do të mbroheshin.
“Kush po i mbron tash ushtarët e UÇK-së? Është për të ardhur keq se askush nga qeveria, presidenca, institucionet tona nuk po e qelë gojën. Kur po arrestohen në mes të Prishtinës veteranët krerët e institucioneve po heshtin”.
“Rreziku i parë është pandemia me rikthimet e furishme, efektin rrënues në ekonomi dhe shëndet. Të mos harrojmë se mbi 600 veta kanë vdekur, këta kanë qenë familjarë tanë. I kemi humbur mbi 600 jetë për pak muaj”, ka thënë Kurti.
Ai i ka quajtur mjekët heronj, por sistemin e papërgatitur.
“Është e vërtetë që qeveria jonë relaksoi masat, por këtë e bëmë kur patëm pak raste dhe ndërmorëm relaksim gradual. Numri i të infektuarve u rrit vetëm 5 javë më vonë, pasi e rrëzuan qeverinë tonë”, ka thënë ai. Sipas Kurtit, edhe vetë politikanët janë infektuar me Covid, pasi nuk kanë respektuar masat.