Kurti “hesht” pas vizitës së O’Brien, analistët: Fokus nuk ishte dialogu

22 tetor 2024 | 20:25

Përkundër se në ballinat e mediave në të dyja shtetet, vendin e zunë porositë për marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe për bisedimet, njohës të procesit të dialogut vlerësojnë se Ndihmës Sekretari, James O’Brien, as në Kosovë e as në Serbi nuk erdhi duke e pasur në fokus raportet ndërmjetë të dyja shteteve, por për të tjera qëllime.

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Melazim Koci, mendon se O’Brien dhe Drejtoresha e Përgjithshme për Evropën në Shërbimin Evropian për Punë të Jashtme synimin e kishin që Aleksandër Vuçiqi, të mos marrë pjesë në Samitin e BRICS-it, dhe ia arritën qëllimit.

Ndërkaq në Kosovë, sipas tij O’Brien kishte të tjera prioritete.

“Gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë, z. O’Brien praktikisht në leximin tim bëri një gjysmë përshëndetje, sepse ai e di shumë mirë që në rast të fitores së ish-presidentit Trump, nuk besoj se ai do të jetë në atë pozicion që është”, tha Koci.

Koci këtë qëndrim e mbron duke u bazuar edhe në tonet e buta të deklaratave që sipas tij O’Brien, e shprehu gjatë kësaj vizite. Sipas tij me ardhjen eventuale të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, marrëveshja e bazuar në planin franko-gjerman prishet

Eh nikoqiri që e priti Ndihmës Sekretarin amerikan, përpos komunikatës nuk u tregua i gatshëm të flas para kamerave.

“Ne kemi marrëveshje tashmë, jo vetëm dialog”, tha Kryeministri, Albin Kurti.

Kjo ishte gjysmë përgjigja që Kurti e dha në vrapin e shpejt drejt veturës, kur u pyet për progresin në dialog.

Edhe në këtë pikë, analisti Koci ka një shpjegim.

“Unë mendoj që kjo nuk qëndron fare, sepse marrëveshje nuk ka sepse atë nuk e do as Serbia e as Kosova, kjo është evidente. E kanë minuar qe dy vite këtë marrëveshje të dyja palët, pa asnjë dilemë. Ndërsa dialogu është formalitet është imitim i dialogut sa për të ruajtur status-quon dhe asgjë më tepër”, shtoi Koci.

James O’Brien ka qenë pjesë e delegacionit amerikan gjatë negociatave në Rambuje, ndërsa nga viti 2022, ka punuar në Departamentin e Shtetit si shef i Zyrës së Koordinimit të Sanksioneve, me gradën e ambasadorit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Qendror Zgjedhor ka publikuar raportet financiare të subjekteve politike për periudhën…