Kurti hip në teleferik në Brezovicë
Kryeministri Albin Kurti ka marrë pjesë në aktivitetin e performancës së skijimit nga fëmijët e shkollave të ndryshme, në kuadër të programit “Drejt Malit”, në Brezovicë.
Kjo është hera e parë, që Qeveria e Kosovës mbështet organizimin dhe zbatimin e një programi të këtij lloji, përmes së cilit u sigurohet fëmijëve, nxënësve të shkollave fillore të Kosovës qasje në aktivitete sportive – malore.
“Me pesë partnerë të programit, me mbi 400 nxënës pjesëmarrës, e me mbi 100 instruktorë, vullnetarë, mësimdhënës, kujdestarë të veçantë dhe prindër, ky program shënon angazhimin tonë të përbashkët për zhvillimin e shëndetit të fëmijëve dhe edukimin jo-formal përmes aktivitetit fizik. Kjo bëhet e mundshme, vetëm atëherë kur ekziston lidhje e ngushtë e arsimit me sportin dhe e sportit me shëndetin”, u shpreh kreu i qeverisë.
Përtej kësaj, kryeministri Kurti ka thënë se programi “Drejt Malit” flet edhe për kapacitetet madhështore që Malet e Sharrit kanë për zhvillimin e sportit dhe turizmit malor dhe se kjo është sezona e parë dimërore e 20 viteve të fundit, që qendra e skijimit Brezovica ka rregulluar statusin e saj të funksionimit dhe ka kthyer imazhin e saj prej një margaritari të bardhë.
Teksa ka folur për karakteristikat që e veçojnë Brezovicën, me shumë bukuri e histori dhe me një të ardhme të ndritshme para dhe e cila ndër vite ka sjellë vizitorë dhe sportistë nga anë e mbanë bota, kryeministri Kurti ka përmendur edhe pjesëmarrjen e dytë në Lojërat Olimpike Dimërore me dy sportistë të rinj, Albin Tahiri dhe Kiana Kryeziu.
Para medieve, ndër të tjerash ai tha se i ka bërë përshtypje bashkëpunimi në mes komuniteteve që punojnë dhe frekuentojnë qendrën e Brezovicës, duke e bërë kështu Brezovicën një tregim të suksesit e komunitetit të integruar pa dallim.
Pas ceremonisë, së bashku me zëvendësministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, kryeministri Kurti vizitoi edhe pikën më të lartë të pistës së skijimit, që shfrytëzohet nga skiatorët.