Kurti: Historia dhe trashëgimia e luftës në Kosovë kanë nevojë për t’u studiuar dhe hulumtuar
Në kuadër të aktiviteteve në shënim të 25-vjetorit të çlirimit të shtetit tonë, kryeministri Albin Kurti, mori pjesë në konferencën shkencore për 25-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës: “Një çerek shekulli shtetndërtim, sfida dhe arritje- qasje multidisiplinare”.
“Më vjen mirë që javën gjatë të cilës do ta shënojmë 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, po e nisim pikërisht me një konferencë shkencore dhe pikërisht këtu në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Sepse historia dhe trashëgimia e luftës në Kosovë, kanë aq shumë nevojë për t’u studiuar, hulumtuar dhe për t’u shkencëruar. Ngase ne si shoqëri dhe si shtet, kemi nevojë për diskurse të mirëfillta shkencore dhe për narracione sa më të plota dhe të vërteta historike për luftën tonë”, e filloi kryeministri Kurti fjalën e tij hyrës para të pranishmëve në këtë konferencë.
Ai rikujtoi se si 25 vjet më parë, në mes të muajit qershor të vitit 1999, populli i Kosovës po i përjetonte ditët e fundit të luftës dhe ditët e para të çlirimit. “Më 10 qershor 1999, NATO i dha fund fushatës së bombardimeve mbi Jugosllavi pas 78 ditësh bombardime. Në New York, Këshilli i Sigurimit i OKB-së e miratoi Rezolutën 1244 me të cilën e autorizonte vendosjen e një force ushtarake dhe civile në Kosovë. Po atë ditë, UNHCR-ja njoftonte se gjatë gjithë luftës në Kosovë, 862,979 refugjatë ishin dëbuar jashtë Kosovës dhe se sfida e radhës ishte organizimi i kthimit të tyre”, u shpreh kryeministri, derisa theksoi se po nga kjo organizatë atëkohë, më 3 gusht, u njoftuam se 90 % të refugjatëve ishin kthyer në Kosovë, në mënyrë spontane dhe të vetëorganizuar.
Me kthimin e refugjatëve në Kosovë, bashkë me 120 mijë shtëpi të shkatërruara dhe të djegura që i gjetën ata, siç tha kryeministri, u shuan edhe shpresat e politikës së shtetit të Serbisë, që plani i tyre i gjenocidit përmes Operacionit Patkoi, të kishte të paktën pjesërisht sukses për zbrazjen e Kosovës nga shqiptarët vendas.
“Më 11 qershor, trupat ushtarake të NATO-s nisën të hynë në territorin e Kosovës nga toka dhe nga ajri, duke e vendosur kontrollin e tyre në tërë vendin tonë”, u shpreh tutje kryeministri Kurti, derisa përmendi mbi 10,000 viktimat civile që kanë humbur jetën në luftën e fundit në Kosovë, mes tyre 1133 fëmijë dhe mbi 3000 burra dhe gra, të cilët ranë dëshmorë të lirisë. Ai shtoi se në më pak se dy vite luftë, disa mijëra gra dhe burra u dhunuan dhe torturuan, ndërkaq mbi gjysmë milioni njerëz u zhvendosën si refugjatë brenda Kosovës.
D
uke uruar punime të mbara gjatë kësaj konferencë, kryeministri Kurti tha se tashmë kemi nevojë për shumë studime shkencore dhe botime akademike për gjithë çfarë ka ndodhur gjatë gjithë luftës në vendin tonë, në mënyrë që diskutimet dhe debatet tona, hulumtimet dhe studimet, shkrimet dhe botimet, të bëhen më akademike, shkencore, konceptuale dhe më teorizuese.
Kjo konferencë shkencore u organizua nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ku të pranishëm ishin Mehmet Kraja, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ish-presidenti Fatmir Sejdiu dhe akademikë të tjerë.