Kurti: Hysni Hyseni ishte aktivist i dalluar i Lëvizjes Vetëvendosje
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, ka kujtuar aktivistin e Lëvizjes Vetëvendosje, Hysni Hyseni – Doda, i cili vdiq sot.
Në profilin e tij në “Facebook”, Kurti ka shkruar se Hysni Hyseni ishte aktivist i dalluar i Lëvizjes Vetëvendosje.
“As një vit nuk ishte më i moshuar se unë, por askush, e as unë, nuk mund të mateshim me të për nga aktiviteti i dendur që bënte”, ka shkruar Kurti.
Postimi i plotë i Kurtit:
Kur e vizitova para dhjetë ditëve ishte rëndë por kishte vetëdije, të nesërmen kishte përjetuar infarktin e parë, kurse dy ditë më vonë e gjeta në komë të intubuar.
Doda vdiq sot. Në QKUK në Prishtinë, në repartin intenziv të Klinikës Infektive, vdiq në mëngjes Hysni Hyseni – Doda, aktivist i dalluar i Lëvizjes Vetëvendosje.
As një vit nuk ishte më i moshuar se unë, por askush, e as unë, nuk mund të mateshim me të për nga aktiviteti i dendur që bënte.
Në protestën e 10 shkurtit 2007 ku u vranë Mon Balaj e Arben Xheladini, u patën plagosur e lënduar mbi 80 qytetarë, e më së rëndi pikërisht Hysni Hyseni nga Prizreni që humbi syrin e djathtë, Mustafë Nerjova nga Lubishda e Hasit që edhe sot e kësaj dite ka një pjesë plastike në kokë në vend të kafkës që ia çanë me plumb dhe Zenel Zeneli nga Bardhoshi i Prishtinës i cili ende i ka dy plumba në trup njërin shumë afër zemrës.
Ndryshimi në Prizren me fitoren e Mytaher Haskukës në vjeshtën e vitit 2017 do të ishte i pamundur pa punën e palodhshme të Dodës, i cili mua asokohe m’i mësoi të gjitha çajtoret e Kurillës dhe jo vetëm.
Ka lënë pas vetes gruan, katër vajzat dhe një djalë.
Dhembja që ndjejmë është e madhe, pikëllimi që na ka mbërthyer është i rëndë, humbja që përjetuam është e vështirë.
Kujtimi ynë për Dodën do të jetë përjetë i gjallë, porsi gjallëria e tij jetësore.