Kurti i akuzoi mediat se po mbajnë anën e Serbisë, reagon AGK: Gjuha e kryeministrit e rrezikshme

08 dhjetor 2024 | 22:49

Kryeministri Albin Kurti i ka sulmuar sërish mediat sot, edhe pasi u nominua nga VV-ja si kandidat për kryeministër në zgjedhjet e reja. Kurti ka vazhduar me gjuhën e tij kundër mediave të Kosovës, duke i akuzuar se po ia mbajnë anën Serbisë.

Sulmin e Kurtit ndaj mediave, e ka shpërndarë Lëvizja Vetëvendosje në faqen e saj.

“Kush i sheh portalet apo debatat televizive, patjetër që befasohet. Shpesh edhe emisionet e lajmeve janë të mbushura me keqdashje. Si ka mundësi që gjithë këto të pavërteta për Kosovën, gjithë këto shpifje për njerëzit tanë, gjithë ky vrer kundër Vetëvendosjes të shpërndahet kësisoj publikisht. Kurrë nuk kanë qënë më shumë medie kaq shumë kundër qeverisë, sesa në katërveçarin tonë. Ata që për çdo sulm e agresion të Serbisë ndaj shtetit tonë, fajtorin çdoherë e gjetën tek qeveria jonë, por asnjëherë tek Serbia, nuk meritojnë vëmendjen tuaj”, bëri thirrje kundër mediave Kurti.

Ndaj këtij deklarimi të Kurtit, ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, që e quan gjuhën e kryeministrit kundër mediave të rrezikshme

“AGK-ja e dënon fuqishëm këtë gjuhë ofenduese dhe shumë të rrezikshme të kryeministrit Kurti, që i rendit mediat e Kosovës përkrah Serbisë. Një fjalor i tillë i papranueshëm që vjen nga kreu i qeverisë, direkt vë në rrezik sigurinë e gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të medias.
Është koha e fundit që zoti Kurti të ndalojë së përdoruri një gjuhë të tillë të nxitjes së urrejtejes ndaj medieve, që pastaj reflektohet dhe shumëfishohet nga shumë prej votuesve të tij.
Në respektim të lirisë së medies dhe lirisë së shprehjes, gazetarët dhe mediet në Kosovë duhet të lejohen që të ushtrojnë punën e tyre për të mbajtur përgjegjëse qeverinë, pa u penguar dhe intimiduar nga pushteti”, thuhet ndër të tjera në reagimin e AGK-së.

/Reporteri.net/.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Super derbi i javës së 11-të të ProCredit Superligës i…