Kurti i bën ftesë zyrtare për vizitë në Kosovë kryeministres së Letonisë
Kryeministri Albin Kurti, priti në takim ambasadoren jo-rezidente të Letonisë për Kosovën, Elita Kuzma.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se është biseduar rreth zhvillimeve të fundit, me theks të veçantë në qasjen destruktive të Serbisë në dialog si dhe sulmin terrorist e aktin e agresionit në Banjskë.
U përmend dhe agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës dhe implikimet për vendet baltike dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor, e ku kryeministri theksoi se Republika e Kosovës që nga fillimi e ka dënuar fuqishëm agresionin rus.
Duke biseduar për marrëdhëniet bilaterale, u theksua me rëndësi të veçantë dhe fuqizimi i bashkëpunimit përmes intensifikimit të komunikimit dypalësh për iniciativa të ndryshme me qëllim afrimin e dy vendeve me njëra-tjetrën. Me këtë rast, i Kurti bëri dhe një ftesë për kryeministren e re Evika Silina për vizitë zyrtare në Kosovë.
Kryeministri vlerësoi rolin e Letonisë në proceset e shtetndërtimit të Kosovës dhe mbështetjen e aspiratave euroatlantike të vendit tonë. Në mesin e tyre, anëtarësimi në Këshillin e Evropës dhe organizata të tjera ndërkombëtare si dhe procesi i liberalizimit të vizave.
Ambasadorja Kuzma e uroi kryeministrin dhe popullin e Kosovës për reformat dhe progresin e arritur nga vendi ynë, si dhe për liberalizimin e vizave, i cili do të hyjë në fuqi nga data 1 janar.