Kurti, i gatshëm të nënshkruajë marrëveshjen me Serbinë në takimin e Ohrit

09 mars 2023 | 22:13

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti priti sot në takim përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Qeveria ka njoftuar se në takim u diskutua për përgatitjen e takimit të nivelit të lartë të caktuar për datën 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

“Kryeministri Kurti theksoi gatishmërinë e tij dhe të Qeverisë që të jetë një palë konstruktive, e përgjegjshme dhe e përkushtuar në parimet e demokracisë liberale e të vlerave të Bashkimit Evropian. Në këtë frymë, ai gjithashtu shprehu pritshmërinë e tij që Bashkimi Evropian të punojë në drejtim të përmbylljes së suksesshme të procesit të Marrëveshjes për Normalizim përmes nënshkrimit zyrtar të saj në takimin e radhës”, ka njoftuar Qeveria e Kosovës.

Ndërkaq, Lajçak tha për mediat se me Kurtin zhvilloi një takim “konstruktiv, të rëndësishëm dhe shumë të frytshëm”.

Pas takimit me Kurtin, Lajçak tha se qëllimi i vizitës së tij dyditore është që të dëgjojë qëndrimin e Kosovës lidhur me propozimin evropian për normalizim, për të cilin palët u pajtuan gjatë takimit të 27 shkurtit, në mënyrë që në takimin e radhës në Ohër, palët të mund të bëjnë hapin e radhës, atë të finalizimit të marrëveshjes.

“Qëllimi kryesor i kësaj vizite është që të marrë informacione se si Kosova e sheh zbatimin dhe ky takim ka përmbushur pritjet e mia në këtë kontekst. Unë do të jem në Beograd të hënën dhe të martën me të njëjtin qëllim, që të dëgjojmë nga Serbia se si e shohin zbatimin e atij dokumenti”, tha Lajçak.

“Ne shpresojmë se do të arrijmë të kemi një dokument për të cilin palët do të pajtohen më 18 mars në Ohër. Tash për tash është e pamundur të thuhet më shumë”, theksoi ai për gazetarët në Prishtinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Shoqatës “Jehona e Malësisë”, Vilson Sinishtaj, është kthyer…