Kurti: I ka ardhur fundi keqqeverisjes
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Albin Kurti i shoqëruar nga anëtari i Kryesisë njëherësh kryetar i Qendrës së Prishtinës, Arben Vitia, ka pritur sot në takim ambasadorin e Republikës së Çekisë, Pavel Bilek.
Sipas komunikatës për medie, biseda kryesisht është orientuar rreth të ardhmes së BE-së dhe Ballkanit dhe rëndësisë që kanë këto për njëra-tjetrën.
Po në këtë takim është diskutuar edhe rreth zhvillimeve aktuale në skenën politike në Kosovë dhe programit qeverisës të Lëvizjes.
Me këtë rast Kurti ka thënë se është tejet e rëndësishme që opozita e vërtetë e legjislaturës së gjashtë të bëhet qeveria e mbarë e legjislaturës së shtatë.
“Pra, Qeveri e cila punon drejt zhvillimit të vendit, përmirësimit të mirëqenies dhe funksionimit të sundimit të ligjit. I ka ardhur fundi keqqeverisjes dhe Kosova mezi po i pret ndryshimet e domosdoshme”, ka deklaruar Kurti.
/Epoka e re/