Kurti i kërkon mbështetjen e kancelarit austriak për vizat dhe anëtarësim e Kosovës në KE
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga kancelari i Austrisë, Karl Nehammer që Bashkimi Evropian (BE) t’i rrisë fondet për Kosovën, pasi siç ka thënë shteti austriak ka ndikim të madh në BE.
“Austria ishte rreze shprese për ne gjatë okupimit si dhe ndër shtetet e pra që e njohu shtetin e Kosovës dhe hapi ambasadën në shtetin tonë. Sikurse për refugjatët afganë kemi ofruar ndihmën tonë edhe Ukrainës dhe kemi shprehur gatishmërinë për të pranuar dhe për të ofruar kushte punës për 20 gazetarë ukrainas”, ka thënë Kurti në konferencën e përbashkët me kancelarin austriak.
Më tutje, Kurti ka thënë se me kancelarin austriak ka biseduar edhe përshpejtimin e agjendës për integrim e Kosovës në BE.
“Qeveria jonë është e orientuar drejt reformave për të pambushur të gjitha kriteret që na ofrojnë sa më shumë në Bashkimin Evropian. E sigurova kancelarin se Kosova vazhdon të mbetet partner i qëndrueshëm dhe i besueshëm. Sikurse për refugjatët afganë, kemi ofruar ndihmën tonë edhe në rastin e Ukrainës. U jemi bashkuar sanksioneve kundër Rusisë dhe kemi shprehur gatishmërinë për të ofruar dhe mundësuar kushte pune për 20 gazetarë ukrainas dhe gatishmëri për strehim të deri 5 mijë refugjatëve”, është shprehur Kurti, duke treguar edhe kërkesat tjera që ia ka parashtruar kancelarit të Austrisë.
Në këtë kontekst, Kurti ka thënë se ka kërkuar mbështetjen e Austrisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KE) dhe shtyrjen përpara të procesit të liberalizimit të vizave.
“Potencova rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si dhe përshpejtimin e agjendës së integrimit drejt anëtarësimit në BE. Nga kancelari kërkova që Austria të shtyjë përpara vendimin për liberalizimin e vizave në Këshillin Evropian të BE-së, sepse ky është një vendim i vonuar që po i dëmton jo vetëm qytetarët, por edhe bizneset dhe ekonominë e Kosovës”, ka thënë Kurti.