Kurti i ofron bashkëpunim shefes së zyrës së KE-së në Kosovë
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur të enjten në takim shefen e Zyrës së Këshillit të Evropës (KE) në Kosovë, Mary Ann Hennessey.
Në këtë takim të parë të tyre, kryeministri Kurti ka theksuar bashkëpunimin e mirë me Zyrën e Këshillit të Evropës në Kosovë dhe e ka falënderuar për bashkëpunimin e ngushtë në avancimin e demokracisë, sundimit të ligjit dhe promovimin e të drejtave të njeriut. Ai e ka njoftuar Hennesseyn me progresin gjatë qeverisjes në forcimin e demokracisë dhe sundimin e ligjit që është vlerësuar nga indekset ndërkombëtare, politikat e punësimit dhe të mirëqenies nga të cilat kanë përfituar të gjithë qytetarët pa dallim.
“Së bashku diskutuan për projektet aktuale që Zyra e Këshillit të Evropës po zbaton në Kosovë dhe mundësitë e reja të bashkëpunimit”, ka njoftuar zyra e kryeministrit.